Kingsley Aikins, njeriu që 21 vite më parë arriti të bashkojë diasporën e Irlandës dhe të mbledhë një fond prej 250 milionë dollarë nga ky komunitet, të gjitha investime të shpërndara në projekte dhe shërbime konkrete kulturore, edukative dhe bamirësie për vendin e tij, vjen për herë të parë në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur Organizata Joqeveritare (OJQ) që merret me diasporën, e cila po e sjellë Aikins në Prishtinë, ku do të bëhet hapja e konferencës “Diaspora Flet”.
Në këtë njoftim thuhet se eksperti më i njohur ndërkombëtar për çështje të diasporës, në mes të tjerash do të ndajë me pjesëmarrësit dhe audiencën praktikat dhe përvojat e mira të shfrytëzimit të potencialit të diasporës përmes përfshirjes së tyre në çështjet që ndërlidhen me vendin e tyre të origjinës.
“Konferenca për herë të parë bashkon në Prishtinë diasporën shqiptare nga shtete të ndryshme të botës, profesionistë të fushave dhe sferave të ndryshme nga kompani private, organizata të shoqërisë civile e deri tek institucione të larta publike me qëllim të lidhjes, angazhimit, avokimint dhe bashkëpunimit mes tyre. Qindra pjesëmarrës të konferencës do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga vet Aikins për mënyrat më të mira të rrjetëzimit mes komunitetit, dhe me vendet e origjinës, se si të bëhen pjesë e krijimit të politikave në shtetet e tyre amë dhe rëndësisë që ka sjellja e potencialit të diasporës në vendin amë. Kjo ka rëndësi sidomos marrë parasysh numrin e madh të diasporës shqiptare të shpërndarë nëpër botë”, thuhet në këtë komunikatë.
Ndryshe, Aikins është themelues dhe drejtor gjeneral i “Diaspora Matters”, kompani konsulente me seli në Dublin të Irlandës, dhe e cila këshillon shtete, qytete, regjione, ndërmarrje, si dhe organizata të tjera se si të zhvillojnë strategji për t’u lidhur me diasporat e tyre përkatëse.
Ai udhëheqi organizatën filantropike të quajtur Fondet e Irlandës, e cila u krijua për të lidhur diasporën irlandeze në mbarë botën me vendin e tyre amë, një komunitet i përbërë nga 70 milion njerëz në mbarë botën, prej tyre vetëm në SHBA janë deklaruar se jetojnë diku 40 milionë. Koha e “problemeve në veri të Irlandës” dhe përfshirja e diasporës irlandeze për ti zgjidhur ato, ishte vetëm njëra nga çështjet që Kingsley adresoi në atë kohë.
Përgjatë 21 viteve sa Aikins ishte udhëheqës i këtij fondi, kryesisht në Boston të SHBA-së, arriti të mbledhë diku një qerek miliardi dollarë të cilat shpërndahen në 1,200 organizata anembanë Irlandës, veriut dhe jugut, në fushat e paqes, kulturës dhe bamirësisë. Ky fond është dëshmi se nisma të tilla për diasporën dhe bashkë me të mund të sjellin rezultate të mëdha për zhvillimin e shoqërive, sidomos atyre që kanë nevojë për rimëkëmbje e zhvillim të qëndrueshëm, si Kosova. Ai ka mbajtur ligjërata të panumërta rreth rëndësisë së përfshirjes së diasporës në çështjet që lidhen me vendet e tyre amë, ka shkruar artikuj dhe ka mbajtur punëtori e programe trajnuese të rrjetëzimit për kompanitë si: Google, LinkedIn, Accenture, Intel, PëC, KPMG dhe një numër të madh të ndërmarrjeve ligjore në Dublin.
Studimet i ka përfunduar në “Trinity College”, në Dublin në fushën e ekonomisë dhe politikës. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar për 10 vjet për Bordin Irlandez të Tregtisë (Irish Trade Board) si dhe për “IDA Ireland” në Sydney të Australisë.
Aikins u kurorëzua me çmimin “CBE” (Udhëheqës i urdhërit më të lartë të Mbretërisë së Bashkuar) për angazhimin e ti të palodhshëm në çështjet britaniko-irlandeze. Aikins përfaqëson kolegjin “Trinity” në Vichy të Francës, si dhe Leinster në sportin e ragbit.
Izraeli dhe Hezbollahu arrijnë marrëveshje për armëpushim
Gola me bollëk pas pjesës së parë në ndeshjet e Ligës së Kam...
Banorët e Fushë Kosovës nesër do mbesin pa furnizim me ujë t...
Kurti nesër merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës ...
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Lewandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve