Ndonëse në shtator është paraparë vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihen temat për të cilat do të diskutojnë dy presidentët.
Sidoqoftë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se takimi i radhës pritet të mbahet në pjesën e parë të shtatorit dhe, sipas tij, ky takim do të jetë i menduar për të filluar me një bazë të diskutimit për të ardhmen. “Shpresoj në pjesën e parë të shtatorit. Ende nuk është specifikuar se çka. Dy takimet e para më tepër kanë qenë procedurale dhe teknike. Besoj se takimi i radhës do të jetë i menduar për të filluar me një bazë të diskutimit për të ardhmen”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.
I pari i vendit u ka bërë thirrje partive opozitare të bëhen pjesë e dialogut duke thënë se bashkëngjitja e opozitës në këtë proces është e mirëseardhur. “Ftesa gjithmonë është e hapur. Bashkëngjitja e opozitës në këtë proces është e mirëseardhur. Me rëndësi është të vazhdojë dialogu, të gjendet zgjidhja, të arrihet marrëveshja dhe Kosova të lëvizë drejt NATO-s dhe BE-së. Nuk do të humb kohë në asnjë rrethanë dhe për asnjë ditë për idetë lokale, projektet lokale apo hartat lokale. Ne duhet të shikojmë në hartën e madhe evropiane për arritjen e standardeve evropiane për Kosovën dhe Ballkanin. Pra, për një rajon pa kufi, i cili do të jetë i integruar në BE”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se do ta vazhdojë fazën finale të dialogut edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e këtij procesi.
Presidenti Thaçi ka qartësuar se askush nuk do të mund ta bllokojë këtë proces, i cili, sipas tij, garanton të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës. “Me rëndësi është që të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës kanë qenë të pranishëm në takimin e fundit në Bruksel. Shpresoj se edhe në takimin e radhës do të jenë. Ne do të punojmë të kemi një përfshirje sa më të gjerë të mundshme, mirëpo askujt nuk do t’ia imponojmë participimin në këtë proces. Pasi që procesi do të kalojë nëpërmjet referendumit, mendoj se secili ka mundësi ta thotë fjalën e vet dhe nuk do të mund ta pengojë askush i vetëm këtë proces, kushdo që të jetë ai”, ka deklaruar ai. Sipas presidentit Thaçi, nëse has në kundërshtim të subjekteve politike për këtë proces, marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën do ta hedhë në referendum.
Për vazhdimin e dialogut ka folur edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti. Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e këtij procesi, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit. “Procesi i dialogut duhet të vazhdojë, duhet të ndiqet trendi i bazuar fund e krye në interesat kombëtare. Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të reja sepse kompromiset e deritashme janë tregues shumë i qartë se Kosova ka zbatuar standardet më të larta për respektimin e të drejtave të komuniteteve. Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të tjera të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit”, ka deklaruar Hoti në një intervistë për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka vlerësuar se mungesa e konsensusit lidhur me këtë çështje është për keqardhje. Por, sipas tij, më e rëndësishme është se çfarë flitet dhe çfarë vendimesh merren në kuadër të dialogut sesa kush e udhëheq këtë proces. “Mungesa e konsensusit politik në Kosovë është për keqardhje. Kjo nuk është diçka e re sepse pothuajse asnjëherë për çaste të ndjeshme nuk kemi pasur konsensus. Megjithatë, konsensusi më i madh i të gjitha partive në pushtet dhe atyre opozitare është Kushtetua e Republikës së Kosovës. Çdo gjë që bëhet në kuadër të respektimit të Kushtetutës dhe të rendit do ta ketë përkrahjen e njërit, respektivisht të këndit tjetër. Idetë e tjera të cilat kanë sjellë divergjenca pozitë-opozitë, madje edhe pakënaqësi te miqtë ndërkombëtarë, përfundimisht duhet të braktisen. Nuk është shumë i rëndësishëm fakti se kush e udhëheq procesin e dialogut me Serbinë, mirëpo ka shumë rëndësi se çfarë bisedohet dhe çfarë vendime merren në këtë proces”, është shprehur Hoti.
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...