Google ADS

Dialogu mund të rifilloj pas zgjedhjeve

08:30 | 2 Prill 2019
Arbresh.info

Procesi i negociatave Kosovë – Serbi ka ngecur tash e disa muaj. Kjo pasi pala serbe ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës, ndërkohë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të mos heqë dorë nga vendimi për tarifën.

Prej datës 9 nëntor 2018 presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka zhvilluar asnjë takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Rrjedhimisht vlerësohet se ky proces nuk do të vazhdojë deri pas zgjedhjeve të BE-së, që pritet të mbahen në maj të këtij viti.

Ndonëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në vazhdimësi ka pohuar se viti 2019 do të përmbyllet me një marrëveshje finale me Serbinë, tash e pesë muaj nuk ka zhvilluar asnjë takim me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq për të diskutuar në kuadër të fazës përmbyllëse të dialogut. Përkundrazi, menjëherë pas rritjes së taksës ndaj produkteve serbe, nga 10 për qind sa ishte vendosur në fillim në 100 për qind, Serbia vendosi të mos ulet më në tavolinë me krerët kosovarë deri në heqjen e tarifës.

Ndërkohë, ani pse menjëherë pas këtij kushtëzimi bashkësia ndërkombëtare bëri presion të vazhdueshëm mbi palën kosovare për pezullimin e taksës, javët e fundit nuk është parë një presion i tillë.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se zbutja e presionit ka ardhur pasi që edhe vetë ndërkombëtarët tashmë e kanë parë që është e pamundur të ketë marrëveshje sivjet. Kjo pasi sipas tyre në maj të këtij viti do të mbahen zgjedhjet brenda BE-së, po ashtu ka mundësi që zgjedhje të ketë edhe brenda shtetit serb. Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës mbeten optimistë se zgjedhje gjatë 2019-s do të ketë edhe në Kosovë. Ndaj analistët vlerësojnë se takime mes dy palëve në Bruksel nuk do të ketë deri kah shtatori ose tetori i këtij viti./Zeri

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme