Google ADS

Dialogu me Serbinë mund të vazhdojë në nivel teknik

07:58 | 15 Maj 2019
Arbresh.info

Kanë kaluar muaj të tërë që kur Serbia ka ngrirë dialogun më Kosovën,  krejt kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës prej 100  për qind  ndaj produkteve serbe.

Ani pse përpjekjet për ftohje të raporteve mes dy shteteve kanë tentuar të bëjnë edhe ndërkombëtarët, rezultati për fillimin e dialogut ende mbetet negativ.

Politologu, Ramush Tahiri, deklaron për arbresh.info, se ndonëse dialogu politik është stopuar, nëse ka vullnet mund të vazhdoj të paktën dialogu teknik.

“Taksa është një nga pjesët e problemeve që janë mes Serbisë dhe Kosovës. Ka shumë probleme, edhe pengesat për anëtarësim të Kosovës në Organizata edhe këto që po insistojnë me qit rezolutën  1244, pastaj kufiri. Me pas vullnet mundet edhe pa heqje të taksës me bisedu, pastaj pjesë e bisedimeve  më qenë edhe taksa. Ende nuk janë zbutë raportet sepse pretendimet nga rezultati i dialogut janë të kundërta. Kosova pret njohje pa kusht, ndërsa Serbia pret rregullim të pozitës serbe dhe një lloj involvimi të Serbisë në Kosovë. Po flas për dialog politik, se dialogun teknik munden më vazhdua. Nëse ka interes pala kosovare munden më vazhdua dialogun teknik dhe ndër to me bisedu edhe për taksën”, vlerëson Tahiri.

Pavarësisht kësaj statusquoe, analisti politik Fatmir Sheholli beson se këtë vit do të përfundojnë këto negociata.

“Dialogu me Serbinë duhet te përfundojë këtë vit me apo pa heqjen e taksën,” thotë Sheholli për arbresh.info.

Por, një qëndrim ndryshe nga këta të dy ka Blerim Burjani. Sipas tij, pa heqje të taksës nuk do të ketë dialog, ndërsa fajtor ka lenë kryeministrin Haradinaj.

Ai thekson se përderisa në Kosovë dhe Serbi,  taksa është çështje politike në BE taksa është në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë.

“Pa heqje të taksës nuk do të ketë dialog. Kokëfortësia e këtij njeri ka bërë që të stopohet dialogu dhe të humbet shansi për të zgjidhë diqysh problemin e normalizimit të raporteve. Taksa ka rrit koston e jetës së qytetarëve, përveç se vepron në kundërshtim me parimet e BE. Përderisa në Kosovë dhe Serbi taksa është çështje politike, në BE taksa është në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë të mallrave dhe shërbimeve.  Ramushi edhe ashtu është kaherë i përjashtuar nga dialogu i drejtpërdrejt duke pas parasysh se është jo transparent  me qëndrime dhe nuk i besohet aspak se ai bënë një punë qysh duhet”.

Kujtojmë se kushti i Serbisë për fillimin e dialogut është heqja e taksës ndaj produkteve serbe. Një përpjekje tjetër për të rikthyer në binarë fazën finale të dakordimeve mes dy vendeve, pritet të ndodhë në Samitin e Parisit./V.Selimi/Arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme