“Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin kapitullin e së kaluarës dhe të shkojnë përpara”, u shpreh para takimit ndërmjetësi i dialogut, i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në prag të raundit të dytë të dialogut mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ai shpresonte se palët do të jenë konstruktive dhe pragmatike dhe se do të bisedohet për “hapat që na çojnë përpara”.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E kaluara është e rëndësishme, por e ardhmja është edhe më e rëndësishme”, tha Borrell para takimit.
Përplasja rreth së kaluarës
Por pikërisht e kaluara ishte ajo që sërish përplasi kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë Vuçiq. Ndaj takimi i sotëm në Bruksel ishte shumë më i shkrutër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Pas bisedimeve u dëgjuan madje edhe fjalë të rënda në adresë të njëri-tjetrit. Kryeministri i Kosovës refuzon të nënshkruajë dokumentin për stabilitet dhe siguri, tha Vuçiq.
“Presidenti i Serbisë po gënjen”, u përgjigj Kurti. “Pala e Prishtinës është jo serioze”, bisedimet “nuk janë të vështira, por të tmerrshme”, tha Vuçiq. Ndërsa Kurti fajësoi palën serbe për gjenocid, duke nënvizuar se Vuçiq ka qenë pjesë e pushtetit asokohe.
E gjitha kjo dëshmon në fakt se palët jo vetëm që nuk janë dakorduar për asgjë, por pozicionet e tyre mbeten diametralisht të kundërta. Marrëveshja e vetme nga dita e sotme në Bruksel ishte që bisedimet të vazhdojnë.
“Ne kemi prezantuar në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua, pa u lexuar fare. Zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi i ka lexuar 11 pikat që paraqesin pengesa në raportet tregtare të Kosovës me vendet e tjera, që ne kërkuam të hiqen, por as kjo nuk u pranua”, theksoi Kurti, i cili, në fillim, u shprehu ngushëllime të gjitha viktimave të reshjeve të fundit në Evropë dhe tha se këto bisedime po mbahen pikërisht në ditën e përvjetorit të 23 të masakrës në Rahovec, kur forcat serbe vranë e masakruan 150 shqiptarë, dhe 10 konsiderohen ende si të pagjetur.
Nuk pranohet “ballafaqimi me të kaluarën”
Pala kosovare ka insistuar që në dokumentin ku flitet për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi – “ballafaqimi me të kaluarën”. Por as kjo kërkesë nuk është pranuar nga pala serbe, ndonëse “në një formë të zbutur është pranuar nga ndërmjetësi, zoti Borrell”.
“Unë nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara. Vetëm nëse dikush, pra pala tjetër, ka probleme edhe vet me këtë të kaluar”, theksoi Kurti, duke shtuar: “Duket që kryetari i Serbisë e sheh shumë personale çështjen e të kaluarës”, theksoi Kurti.
Ai tha se atmosfera në takim nuk ka qenë shumë më ndryshe nga takimi i kaluar (15.06), ku atmosfera ishte shumë e tendosur. Por pasi Serbia, sipas tij, nuk e pranoi kërkesën që në dokument të futet togfjalëshi, ballafaqimi me të kaluarën, ishte e qartë se “nuk mund të ecim përpara”.
Si thelbin e problemeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti sheh mungesën e njohjes mes këtyre dy vendeve. “Thelbi i raporteve është njohja e ndërsjelltë – Serbia duhet ta njohë Kosovën, e Kosova Serbinë.”
Kush po gënjen?
Në këtë takim është propozuar edhe nënshkrimi i një dokumenti ku palët zotohen se nuk do të ndërmerrnin asnjë veprim që do të acaronte situatën në terren dhe do të rrezikonte palën tjetër.
Presidenti i Serbisë Vuçiq tha se “shqiptarët në Kosovë po armatosen dhe se po duan të krijojnë atmosferë pasigurie për serbët.
“Autoritetet e Prishtinës duan që serbët të mos ndjehen të sigurtë”, theksoi ai.
Vuçiq pohon se ishte kryeministri Kurti ai që ka refuzuar ta nënshkruajë këtë dokument, që sipas tij, është dëshmi “se autoritetet e reja në Prishtinë duan të krijojnë një atmosferë pasigurie për serbët në Kosovë”.
“Kjo është gënjeshtër. Ai që ua ka thënë këtë, me gjasë presidenti i Serbisë, ju ka gënjyer. Kjo është gënjeshtër.
Ai po gënjen”, theksoi Kurti. “Ne kemi kërkuar që në këtë dokument të futen edhe fjalët paqe dhe siguri, e jo vetëm fjala stabilitet. Arsyeja pse sot nuk e kemi nënshkruar sot këtë dokument është që pala serbe nuk e dëshironte togfjalëshin ballafaqimi me të kaluarën”, theksoi Kurti.
Si kurrë herë më parë, presidenti i Serbisë qëndroi tërë kohën vetëm 10-15 metra më larg, gjatë kohës kur Kurti jepte deklaratën para gazetarëve. Kurti foli gjatë edhe në gjuhën serbe, për të kaluarën, për krimet e gjenocidin. Ndërsa Vuçiq më pas dha edhe disa intervista të tjera për mediat serbe, ku ndër të tjera u shpreh se “këto bisedime nuk janë të vështira, por janë të tmerrshme”. Ai tha se pala kosovare është e orientuar nga e kaluara ndërsa ajo serbe nga e ardhmja. “Kur flasim për ballafaqimin me të kaluarën duhet të flasim edhe për krimet ndaj serbëve”, tha Vuçqi.
Por që të dy, Kurit dhe Vuçiq thanë se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun, dhe që të dy pohonin se ata janë konstruktivë.
Takimi i radhës në nivelin e delegacioneve do të mbahet në fund të gushtit, ndërsa në shtator do të mbahet raundi i tretë Kurti – Vuçiq./DW/
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë feston 28 nëntorin, Krasniqi...
Abdixhiku nga Suhareka: Besimi juaj është mesazhi më i fortë...
Vetura godet për vdekje këmbësorin në Klinë, arrestohet i dy...
Kurti uron von der Leyen për formimin e Komisionit të ri
Izraeli arreston militantët e Hezbollahut
Kurti shtroi drekë për ambasadorin amerikan, Hovenier dhe st...