Google ADS

“Dialogu Kosovë- Serbi përfundon me marrëveshje finale këtë vit”

10:42 | 14 Janar 2023
K.B

Edhe viti 2022 është mbyllur pa ndonjë marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë.

Tensionet mes dy vendeve u ashpërsuan edhe më shumë kur gjatë vitit të kaluar doli në pah plani franko-gjerman për dialogun, që u përkrah nga Kosova, por jo edhe nga Serbia.

E kulmi i tensioneve arriti në muajin dhjetor, ku strukturat ilegale serbe vendosën barrikada në rrugët e katër komunave veriore, për tri javë duke e pamundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Por, njohësit e çështjeve politike në vend, janë optimistë se viti 2023 do të përmbyllet me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Demhasaj: Brenda këtij viti dialogu mund të përfundoj me ndonjë marrëveshje finale

Analisti politik, Arton Demhasaj për arbresh.info shprehet se bisedimet mes dy vendeve mund të përfundojnë gjatë këtij viti me një marrëveshje finale.

“Me shumë gjasa brenda këtij viti mund të përfundoj me ndonjë marrëveshje finale, të paktën kështu qysh është përcaktuar edhe nga vet ndërmjetësuesit apo lehtësuesit e dialogut”, thotë ai.

Sipas Demhasajt, një gjë e tillë mund të ndodh brenda gjashtë mujorit të parë të 2023-ës.

“Ka një lloj afati të përcaktuar që më shumë gjasë edhe gjatë pjesës së parë d.m.th. gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, mundet me pat edhe një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, potencon Demhasaj.

Raci: Është viti përfundimtarë për dialogun

Eksperti i dialogut, Gazmir Raci thotë se deri në fund të pranverës të këtij viti pret që të dyja vendet të deklarojnë nëse janë pro apo kundër planit franko-gjerman.

“Unë pres që deri në fund të pranverës edhe Kosova edhe Serbia me u deklaru pro ose kundër propozimit franko-gjerman edhe është vit vendimtarë për dialogun e Brukselit”,shprehet Raci.

Por, ndryshe po mendon analisti politik, Fatmir Sheholli.

Ai thotë se do të jetë e vështirë të përmirësohen marrëdhëniet mes Prishtinës e Beogradit, pasi sipas tij ka pasur acarimë të situatës mes qeverisë dhe serbëve të Kosovës.

“Në bazë të kësaj çfarë po shohim dhe kemi parë në vitin 2022 mund të ndodh një intensifikim i dialogut. Do të jetë shumë vështirë që relacioni në mes Prishtinës dhe Beogradit të përmirësohet marrëdhëniet në atë nivel që të arrihet marrëveshja. Pra unë nuk pres diçka të veçantë në këtë vit për arsyeje se nuk po shihet në horizont, ka ndonjë mundësi të kësaj duke e pasur parasysh gjithë këtë acarimë të situatës mes qeverisë dhe serbëve të Kosovës”, thotë Sheholli.

Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë angazhuar maksimalisht që në vitin 2023 të nënshkruhet marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qysh në fund të vitit 2021, ka thënë se një marrëveshje me Serbinë është e mundur brenda mandatit të tij si kryeministër, afat ky që përputhet me afatin kohor të mandatit aktual të presidentit amerikan, Joe Biden, dhe të mandatit të zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Kujtojmë se gjatë vitit 2022 ishin vetëm dy takime të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve që në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së.

Pritjet janë që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Por, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë pozicione krejtësisht të skajshme.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e pranon.

Kosova kërkon njohje të ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, pa e specifikuar se çfarë saktë do të thotë ai kompromis./arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme