Grupi punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, dialog ky i iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur mbledhjen e parë.
Pas mbledhjes, kryetari i këtij grupi, Marko Gjuriq, njëkohësisht edhe shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, ka thënë se detyrë e tyre është “dialogu për Kosovën përmes diskutimit më të gjerë shoqëror”.
“Kjo është mbështetja për njërën prej punëve më të rënda, me të cilat është ballafaquar Serbia në vitet e fundit”, ka thënë Gjuriq për rolin e grupit punues, në krye të së cilit e ka emëruar Qeveria e Serbisë më 16 tetor.
Grupin punues e përbëjnë përfaqësuesit e ministrive të Qeverisë së Serbisë, të Zyrës për bashkëpunim me shoqërinë civile, si dhe Sekretariatit republikan për ligjvënie.
Sipas Gjuriqit, qëllimi i punës së grupit është që përmes kompetencave të të gjithë resorëve që përfaqësohen “të shohin se cilat janë ato institucione, grupe shoqërore dhe institute, që do të mund të ndihmojnë shtetin e Serbisë në forcimin e kapaciteteve institucionale për tu marrë me çështjen e Kosovës”.
“Ajo duhet të përfshijë institucionet e shtetit, opinionin akademik, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile dhe sa më shumë që është e mundur edhe qytetarë të rëndomtë”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se për mënyrat konkrete të punës, do të flitet më tepër në të ardhmen.
Pritet që në ditët në vijim të shpallet se kur do të fillojë formalisht dialogu dhe se kujt do t’i bëhen ftesat e para për konsultime lidhur me Kosovën.
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me formimin e grupit punues është mbështetur në kapacitetet e Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën të kësaj Qeverie, gjë që, sipas tij, është racionale, sidomos për shkak se për punët administrative dhe teknike i ka shfrytëzuar njerëzit që janë në rrjedha të kësaj çështjeje dhe me mënyrën e punës. Por, siç thotë ai, në këtë model, ekzistojnë edhe kufizime.
“Në qoftë se ky është ekip administrativ dhe burokratik, gjë që do të duhej të ishte sipas asaj që flasin detyrat e tij që së pari të organizojnë logjistikën dhe të përcjellë se çfarë po ngjanë në kuadër të procesit të dialogut të brendshëm, atëherë problem është komoditeti i ekipit. Kjo për shkak se ekipin e udhëheqë politikani, nënkryetari i partisë dhe përfaqësuesi i një politike, i cili do të duhej që në dialogun e brendshëm të shqyrtohet seriozisht. Përndryshe, dialogu i brendshëm nuk ka kuptim”, tha Janjiq, shkruan REL.
Formimit të grupit punues i ka paraprirë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën e kishte bërë në muajin korrik, për nisjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.
Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se pret që me një propozim për Kosovën do të dilet në mars të vitit 2018. Deri më tash ai nuk ka zbuluar shumë se çfarë është ai propozim që pret, por siç ka thënë ai, zgjidhja nuk është “as në mitet dhe konfliktet”, por “as në heqjen dorë nga interesat nacionale”.
Janjiq thotë se kur Vuçiq kishte paralajmëruar për herë të parë dialogun e brendshëm, kishte thënë se është e dëshirueshme arritja e një konsensusi nacional, por ndërkohë, siç thotë ai, Vuçiq i është afruar realitetit dhe këtë e dëshmon formimi i grupit punues.
“Dialogu i brendshëm, në esencë, do të shndërrohet në konsultime profesionale – politike të Presidentit dhe Qeverisë dhe Kryeministrit, me grupin punues dhe njerëzit të cilët ata do t’i zgjedhin. Do të thotë, ky është faktori i parë kufizues dhe nuk duhet pritur që aty do të hyn edhe opozita. Kjo nuk është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës. A munden këto konsultime profesionale -politike ta avancojnë politikën që është udhëhequr deri më tash, kjo edhe mund të ndodhë në qoftë se dëshiron ai i cili e ka ftuar të ashtuquajturin dialog, e ky është Aleksandar Vuçiq”, tha Janjiq.
Që nga paralajmërimi i dialogut të brendshëm e deri më sot, kjo temë ka nxitur reagime të ndryshme në opinion, që nga ato se “qëllimi i Vuçiqit është krijimi i alibisë për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, përmes mbështetjes së Brukselit, deri tek qëndrimet, sikurse ajo e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili beson që “për çështjen e Kosovës, Vuçiq mendon njëjtë sikurse populli serb dhe Kisha, si dhe që mbështetet në Rusinë që do t’i ndihmojë Serbisë që të ruajë atë që gjithmonë ka qenë serbe”.
Dialogu i brendshëm për Kosovën, sipas paralajmërime të mëhershme, është dashur të fillojë në shtator, por është shtyrë për tetor. Pjesëmarrjen, në parim, deri më tash e kanë pranuar Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, organizatat joqeveritare dhe një pjesë e opozitës.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...