Mimoza dhe Vjollca, nga Gjakova, janë viktima të dhunës seksuale.Ato janë dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, në vitin 1998.
Mimoza ishte 24 vjeç dhe kujdesej për prindërit e saj. Ajo ishte personi më i dashur i familjes, por për një ditë, jeta e saj mori një kthesë tjetër.
“Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam motër as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999, kanë hyrë tre policë serbë në shtëpi dhe kanë filluar t’i rrahin prindërit e mi. Më pas janë kthyer nga unë dhe prej tre policëve, njëri para syve të prindërve më ka dhunuar. Prindërit e kanë përjetuar shumë keq. Mua më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Edhe më kanë rrahur shumë”, rrëfen Mimoza.
Tmerri për Mimozën, vazhdoi edhe në rrugë. Ajo thotë se ka bërtitur shumë, por nuk ka gjetur ndihmë nga askush.
“Edhe sot ndjej dhembje në trup. Kam bërtitur sa kam mundur, por askush nuk më ka dalë në ndihmë, pasi ka qenë luftë. Më pas edhe në rrugë më kanë dhunuar dhe më kanë thënë se do të ma marrim zemrën dhe do ta peshojmë sa kilogramë është. E kanë pasur një thikë të gjakosur. Pikte gjak i nxehtë…”, thotë tutje Mimoza.
Pas disa orësh, një fqinj i ka ardhur në ndihmë dhe e ka futur në shtëpinë e tij. Në një gjendje të rëndë psikike, ajo thotë se në ato çaste donte më shumë të vdiste sesa të jetonte. Por, ka qenë fqinji ai që i ka folur dhe e ka rikthyer në jetë. Të këqijat për Mimozën nuk morën fund aty. Pas kthimit të saj në shtëpi, pas disa muajsh i ka ndodhur tragjedia me prindërit, të cilët e kishin përjetuar tepër rëndë atë që i ndodhi vajzës së tyre.
“Një kohë kam qëndruar në dhomë e mbyllur. Pas një kohe të shkurtë, babi më vdiq nga sulmi në zemër. Mërzitej shumë, pasi unë nuk mund të flisja me të. Nuk doja ta shihja në fytyrë. Më lutej shumë ta pimë nga një kafe bashkë, pasi e kemi pasur rutinë ditore”.
“Pas ngjarjes, as nëna nuk ka qenë më asnjëherë në gjendje të mirë psikike, pasi e ka përjetuar shumë vështirë dhunimin tim. Një mëngjes nëna ishte afruar pranë bunarit 20 metra dhe kishte kërcyer për të vdekur”, rrëfen Mimoza.
Kosova ka katër organizata joqeveritare, të cilat janë marrë me çështjen e femrave të dhunuara duke ofruar shërbime të nevojshme për to. Një nga këto organizata është edhe Shoqata “Medica” nga Gjakova.
Mirlinda Sada, drejtuese e kësaj shoqate, thotë se aktualisht janë rreth 300 gra, viktima të dhunës seksuale, të cilat i shfrytëzojnë shërbimet e kësaj organizate.
Aty takuam edhe Vjollcën. Rrëfimi i saj ishte rrëqethës. Në vitin 1998, gjashtë policë, për tre ditë e kishin dhunuar atë. Më pas e kanë futur në një kamion me shumë kufoma, ku kishte përjetuar tmerr të vërtetë.
“Ngjarja ka ndodhur kur unë e kam dërguar fëmijën në spital, pasi e kam me paralizë. Pasi kam dalë, i gjithë vendi ka qenë i rrethuar me policë. Atë ditë ma kanë marrë burrin dhe e kanë vra. Unë mbeta me fëmijët. I kisha tre fëmijë me vete. Hyra në shtëpinë e dajës së burrit për të shpëtuar. Por, edhe aty hynë policia, dhe të gjithë i qitën jashtë shtëpisë. Vetëm mua më ndalën në shtëpi. Më kanë dhunuar 6 policë, për tri ditë rresht”, rrëfen Vjollca.
Të gjithë anëtarët e familjes, kishin menduar se Vjollcën e kishin vrarë policët serbë. Ndërkaq, kur e takuan atë pas disa ditësh, të afërmit e saj u gëzuan tej mase, e sidomos fëmijët e saj. Por, ngjarja nuk përfundoi aty.
“Pas disa muajsh kuptova se isha shtatzënë. Nëna më ka dërguar te mjeku që ta heq beben. Prej asaj kohe nuk isha mirë. Kisha depresion. Nuk mund të rrija as me fëmijët e mi. Më pas në vitin 2000, ma kanë sjellë trupin e burrit nga varreza masive. Më kanë ftuar në morg, që ta identifikoj burrin dhe aty kam marrë shumë trauma, sepse të gjitha kufomat më dukeshin të njëjta. Vetëm eshtra kam parë dhe jam tmerruar. Të gjithë meshkuj civil të vrarë gjatë luftës”, thotë Vjollca.
Bazuar në të dhënat e prezantuara nga institucionet e Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.
Minire Begaj, kryesuese e Komisionit Qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, thotë për Radion Evropa e Lirë se për këtë kategori është krijuar mbrojtje ligjore. Ajo pret aplikimet e para gjatë këtij viti për mbështetje financiare, e që shuma për person ende nuk është përcaktuar.
“Aktualisht, për këtë vit janë ndarë 200 mijë euro me kërkesën që kanë bërë shoqatat e autorizuara në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për procesin e njohjes dhe verifikimit. Ne, si komision, së bashku me instituticionet relevante sipas punës që është bërë, mendohet se rreth 200 raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do të aplikojnë këtë vit, për të përfituar pensionet personale që ju takojnë me ligj”, thekson Begaj.
Tmerret e Mimozës dhe Vjollcës, i kanë përjetuar edhe mijëra gra e vajza të reja në Kosovë. Sipas organizatave që merren me monitorimin e të drejtave të njeriut, askush deri më tani nuk është akuzuar dhe dënuar për këto krime./REL
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...