“Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat.
Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.
“Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.
Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.
Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.
Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.
Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale
Të dhënat që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.
Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.
Si përkufizohet dhuna mes të rinjve?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhuna mes të rinjve i referohet dhunës që ndodh mes individëve të moshës 10-29 vjeç, të cilët nuk kanë lidhje mes vete dhe mund edhe të mos njihen.
Kjo dhunë, zakonisht, ndodh jashtë shtëpisë.
Ajo përfshin një sërë aktesh, nisur nga ngacmimi dhe grindja fizike e deri te sulmet më të rënda seksuale dhe fizike ose vrasja.
Dhuna mes të rinjve rezulton në vdekje, lëndime, paaftësi dhe pasoja afatgjate shëndetësore, përfshirë probleme të shëndetit mendor.
Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.
“Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja.
Çka çon në dhunë mes të rinjve?
Dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm, thonë nga organizata “Terre des hommes Kosovo”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.
Pajtim Zeqiri nga kjo organizatë thotë se, në bazë të hulumtimeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në familje.
“Tendenca që fëmija, pastaj, ta përdorë dhunën si mjet të zgjidhjes së konfliktit me të tjerët, në këtë rast me bashkëmoshatarët, është shumë e lartë”, thotë Zeqiri.
Ai shton se neglizhenca e prindërve, në kuptimin e përkujdesjes, është “një nga problematikat më të mëdha në kuptimin e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve që kanë tendenca të shfaqjes së agresivitetit dhe dhunës”.
Gjatë vitit 2023, Policia e Kosovës evidentoi mbi 2.000 raste të dhunës në familje dhe, krahasuar me dy vjetët paraprakë, shifrat ishin në rritje.
“Thjesht, nuk po i promovojmë aq sa duhet vlerat e një shoqërie, siç janë: toleranca, diversiteti dhe empatia”, thotë Danuza, profesoreshë e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.
“Nuk po japim model se si duhet të zgjidhen problemet në mënyrë paqësore, e jo përmes shpërfaqjes së dhunës ose agresivitetit”, thotë ajo.
Sipas saj, nuk mjafton që prindërit t’i përmbushin vetëm kërkesat materiale të fëmijëve dhe të jenë pranë tyre vetëm fizikisht.
Ata duhet të kalojnë “shumë e më shumë kohë” me ta dhe “t’i mësojnë për vlerat e rëndësishme në shoqëri”.
“… sepse, vërej që gati në të gjitha mediat digjitale dhe të shkruara shpërfaqen role të ndryshme të individëve – mund të jenë edhe fiktivë – por qasja e të fortit prezantohet si vlerë. Dhe kjo është një gjë shumë e gabuar”, thotë Danuza.
Si të parandalohet kjo dukuri?
“Prindërit, definitivisht, duhet të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre”, thotë sociologu Artan Krasniqi.
“Kontroll mbi atë se çfarë bartin me vete, ku rrinë dhe çfarë shikojnë në telefonat e tyre”, shton ai.
Në kohën e bumit digjital dhe të rrjeteve sociale, Krasniqi thotë se duhet gjetur mënyra për të mposhtur “konkurrencën aspak të drejtë” me mediat sociale, ku fëmijët mund të marrin shembuj të këqij se si të sillen.
Në këtë aspekt, sipas tij, edhe shkolla duhet ta ketë rolin prijës në edukimin e një qytetari të përgjegjshëm dhe jo të dhunshëm.
Krasniqi thotë, po ashtu, se sistemi i drejtësisë në vend duhet të punojë më shumë që “të ngjizë te qytetarët bindjen se secili që kryen një vepër të dhunës, do të ndëshkohet në mënyrë meritore”.
“Përtej vënies së drejtësisë, kjo do të mund të shërbente edhe në parandalimin e dhunës”, thotë ai.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thotë se Kosova e ka të ndërtuar një sistem që e bazon drejtësinë penale në interesin më të mirë të të miturve.
Ehat Miftaraj nga ky institut thotë se kryerësve të mitur të veprave penale, u shqiptohen kryesisht masa edukative.
“Privimi nga liria shqiptohet vetëm si mjet i fundit dhe kufizohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thotë ai.
Miftaraj thotë se nuk mund të ofrojë më shumë detaje, sepse seancat gjyqësore për të mitur nuk janë publike dhe në dosjet e tyre nuk ka qasje askush.
Rasti Aulon Zeka
Një prej rasteve të tjera të dhunës mes të rinjve që rezultoi me vrasje, ndodhi në vitin 2017 në Prishtinë.
Aulon Zeka, atëkohë 16 vjeç, u qëllua për vdekje në afërsi të një shkolle.
Gati shtatë muaj pas vrasjes, tre të miturve që u gjykuan për këtë vepër, iu shqiptuan dënimet.
I mituri i parë u dënua me 9 vjet e 6 muaj burgim për të mitur; e dyta mori masë edukative-korrektuese prej 3 vjetësh, ndërsa të tretit iu shqiptua mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë.
Miftaraj thotë se në rastet kur fëmijët kryejnë vepra penale, përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të kërkohet vetëm tek institucionet e drejtësisë, por edhe te faktorë të tjerë, që përfshijnë familjen dhe shkollat.
Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës shprehin shqetësim për rastet e dhunës mes të rinjve, por një pjesë të përgjegjësisë ua hedhin, po ashtu, shkollave.
Sipas kryetarit Besnik Dragusha, ka raste kur fëmijëve në shkolla u gjenden thika e armë të tjera të ftohta.
“Shkollat duhet të kenë masa të shtuara të sigurisë, kamera e kontrolle”, thotë ai.
Për këtë temë, Ministrisë së Arsimit edhe ajo të Drejtësisë, nuk u përgjigjen.
Në një deklarim të mëhershëm, Ministria e Arsimit tha se dhuna në shkolla, si fizike ashtu edhe verbale, luftohet “sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për mbrojtje të fëmijës, dhe sipas detyrimeve që dalin nga Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”.
Kjo ministri nuk iu përgjigj se përse shkollat nuk kanë psikologë dhe nëse ka plane për përfshirjen e tyre – gjë që, sipas psikologes Danuza, është e domosdoshme.
Praktikat e vendeve të tjera
Shkollat në 23 shtete të SHBA-së, prej vitesh, kanë aktivizuar një sistem online, përmes të cilit nxënësit, në mënyrë anonime, mund të raportojnë sjellje të pazakonshme të nxënësve të tjerë.
Ky sistem u shërben më shumë se 5 milionë nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të 12-tën.
Një studim, që u publikua javën e kaluar në revistën Pediatrics, analizoi se sa i suksesshëm ishte ai në identifikimin e kërcënimeve të lidhura me armë zjarri.
Hulumtuesit zbuluan se në periudhën 2019-2023 u bënë mbi 18.000 raportime në sistemin e njohur si SS-ARS.
“Ajo që gjetëm është se 10% e raportimeve përmbanin referenca për armë zjarri”, tha për mediat amerikane Elyse Thulin, profesoreshë në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve nga Armët e Zjarrit në Universitetin e Miçiganit dhe autore kryesore e studimit.
“Të rinjtë po i drejtohen SS-ARS-it për të dhënë informacione për ato që mund të jenë situata shumë të rrezikshme”, tha ajo.
Në SHBA, dhuna me armë është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve dhe adoleshentëve që nga viti 2020, kur i tejkaloi aksidentet automobilistike.
Faktorët kryesorë që përmendin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmunjdve në SHBA për parandalimin e dhunës mes të rinjve, përfshijnë: promovimin e një mjedisi familjar që mbështet zhvillimin e shëndetshëm, ofrimin e shkollimit cilësor, si dhe forcimin e kapaciteteve të të rinjve.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...