Kryetarja e Dhomave të Specializuara i referoi Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, Rregulloren e Procedurës dhe të Provave. Ky referim vjen pas miratimit të Rregullores së Procedurës dhe të Provave në seancën e parë plenare të gjykatësve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Duke qenë se në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcaktohet se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës nuk është i zbatueshëm në Dhomat e Specializuara, paraprakisht duhej të miratohej Rregullorja e Procedurës dhe e Provave që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore në të gjitha nivelet e Dhomave të Specializuara: në Dhomën e Gjykatës Themelore, Dhomën e Gjykatës së Apelit, Dhomën e Gjykatës Supreme si edhe funksionet e Gjykatësit Paraprak. Gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese miratuan rregulloren e tyre procedurale që do të përfshihet në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.
Rregullorja e Procedurës dhe e Provave i kushton rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë të rrezikuar për shkak të dhënies së dëshmisë, ose bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara. Në tërësi, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave synon të fuqizojë paanësinë, drejtësinë, shpejtësinë, efikasitetin, ndershmërinë dhe sigurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara, duke respektuar njëkohësisht Kushtetutën dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
“Me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave në më pak se dy muaj pas emërimit të tyre, gjykatësit treguan dijeni dhe profesionalizëm të shkëlqyer dhe një përkushtim absolut për një procedurë solide, efikase dhe të drejtë e të paanshme në Dhomat e Specializuara. Falënderoj të gjithë gjykatësit për përpjekjet e tyre të bashkërenduara dhe kontributin e tyre rrënjësor”, u shpreh kryetarja, Trendafilova.
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të ketë tridhjetë ditë për shqyrtimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, për të përcaktuar nëse kjo Rregullore përputhet me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave hyn në fuqi shtatë ditë pasi Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të ketë vendosur mbi kushtetutshmërinë. Me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara funksionalizohen tërësisht në aspektin gjyqësor./Arbresh.info.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...