Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë publikuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Hagë ndaj Salih Mustafës, ish- komandant Cali, që u shqiptua gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit, Paneli i Apelit la në fuqi verdiktet e fajësisë së Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (Pika 1 e Aktakuzës), torturës (Pika 3 e Aktakuzës) dhe vrasjes së paligjshme (Pika 4 e Aktakuzës), raporton Arbresh.info.
“Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, shqiptoi aktgjykimin e parë të apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në një çështje gjyqësore që ka lidhje me krime lufte. Paneli i Apelit la në fuqi verdiktet e fajësisë së Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (Pika 1 e Aktakuzës), torturës (Pika 3 e Aktakuzës) dhe vrasjes së paligjshme (Pika 4 e Aktakuzës)’, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se apeli i Mustafa përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika.
“Paneli i Apelit rrëzoi tetë pika të paraqitura nga z. Mustafa që kundërshtonin Aktgjykimin e Trupit Gjykues, ndërsa miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit me 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues për tri pikat e Aktakuzës që ishte shpallur fajtor”, thuhet tutje.
“Ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin e gjerë të Trupit Gjykues në dhënien e dënimit, dhe duke pasur parasysh se dënimet nuk mund të “zhvendosen” lehtë nga një çështje gjyqësore në tjetrën, gjithsesi Paneli i Apelit konstatoi se në çështjet e gjykuara si në tribunalë penalë dhe në gjykatat e Kosovës lidhur me krime lufte të krahasueshme me ato për të cilat u dënua z. Mustafa, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra se dënimi i z. Mustafa nga Trupi Gjykues. Rrjedhimisht, Paneli i Apelit zvogëloi dënimet individuale të dhëna zotit Mustafa për krimet e luftës që ishte shpallur fajtor dhe zvogëloi dënimin e njësuar nga 26 në 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, tha gjykatësja e trupit gjykues të Apelit në Hagë.
Gjatë shqiptimit të Aktgjykimit, Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se Aktgjykimi “është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe llogaridhënies,” dhe se zvogëlimi i dënimit të z. Mustafa “nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat ai është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda.”
Paneli i Apeli vuri në dukje se z. Mustafa nuk apeloi Urdhrin për Zhdëmtim të lëshuar nga Trupi Gjykues, në të cilin tetë viktimave pjesëmarrëse në proces iu akorduan dëmshpërblime, dhe se vendimi i këtij paneli nuk ndikon në Urdhrin për Zhdëmtim.
Gjithashtu, Paneli i Apelit theksoi se la në fuqi verdiktin e fajësisë të z. Mustafa për të cilin u konstatua se ai mbante “përgjegjësi penale individuale” për krimet e luftës të torturës, ndalimit arbitrar dhe vrasjes së paligjshme dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime.”
Ndryshe, Salih Mustafa u arrestua dhe u dërgua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Aktgjykimi i Trupit Gjykues u shqiptua më 16 dhjetor 2022 dhe Urdhri për Zhdëmtim më 6 prill 2023.
Në Aktakuzë, Mustafa ngarkohej me përgjegjësi penale individuale dhe me përgjegjësi penale si epror për katër akuza për krime lufte (ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme) të kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të cilët u mbajtën të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës. Sipas Aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e paraqitura në Aktakuzë./Arbresh.info/
LEXO EDHE
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”
OKB dënon sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjitike t...
Moti sot në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit diskuton sot për shëndet...
Moti sot i vranët dhe intervale me diell