Vaksina kundër gripit sezonal ende nuk ka arritur në institucionet publike shëndetësore, por ato kanë arritur në barnatore në Prishtinë, ku shiten nga 14 deri në 17.9 euro.
Qytetari G.H, 63-vjeçar tha se e ka blerë vaksinën në një barnatore 17.9 euro, meqë mendon se do t’i ndihmojë edhe për gripin sezonal, por edhe nga virusi COVID-19.
“Pasi kam dëgjuar që ka ardhur vaksina në barnatore kom vendos të shkoj me ble. Vaksinën e kom ble 17 euro e 90 cent. Pasi jemi në kohë pandemie me COVID-19, por edhe me virus sezonal, mendoj që më ndihmon, po e ndjej veten më të sigurt, si nga virusi sezonal edhe nga koronavirusi”, tha ai.
E, Shkumbin Isufi farmacist, në anën tjetër tha se është vetëm një operator në Kosovë që e ka licencën për t’i blerë vaksinat, por që sasia që e ka marrë për t’i shpërndarë më pas nëpër farmaci, po del të jetë e pamjaftueshme.
Sipas tij, interesimi nga qytetarët për ta blerë ketë vaksinë ka qenë shumë i madh.
“Çmimi i vaksinës në treg është rreth 14 euro, dallon më pas nga barnatorja në barnatore. Interesimi i qytetarëve mund të them se është 10 fish më i madh këtë vit, në krahasim më vitet e kaluara kjo për shkak të Covid19, por sasia në treg është shumë e vogël. Nuk kam informata sa sasi ka, por në bazë të kërkesave po shihet që ka pak. Operatori ka porositur shumë, por i ka ardhur numër shumë i limituar i vaksinave”, thotë Isufi për arbresh.info
Ndërsa, Kryetari i Odës së Farmacistëve Arianit Jakupi vlerëson se, vaksinat kundër gripit sezonal këtë vit janë 4 valente, kanë mbrojtje më të mirë dhe më të plotë nga vaksinat e kaluara që kanë qenë 2 valente.
Por, sipas tij nuk kanë ardhur mjaftueshëm nëpër barnatore.
“Aktualisht nuk ka pasur mjaftueshëm vaksina pasi ka qenë vetëm një import me sasi të kufizuara. Kërkesat nga qytetarët janë të mëdha por po shpresojmë që këto kërkesa të mund të plotësohen me sasitë që do të vijnë nga UNICEF për Ministrinë e Shëndetësisë. Një risi e këtyre vaksinave është se janë 4 valente që kanë mbrojtje më të mirë dhe më të plotë nga vaksinat e kaluara që kanë qenë 2 valente”, pohoi ai.
Sidoqoftë, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksina kundër gripit sezonal. Në muajin shtator është thënë se janë siguruar 160 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe ato do të arrijnë në Kosovë në muajin nëntor.
Në ministri deklaroheshin se 160,500 doza të vaksinave kundër gripit sezonal pritet të vijnë në mesin e muajit nëntor, por kjo nuk po ndodhë.
Ndryshe, këtë vit është paraparë të vaksinohen rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal./Ardita Zeka/arbresh.info/
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit