Dhjetë vjet nga transformimi i TMK’së në FSK

23:17 | 20 Janar 2019
Arbresh.info

Shumë eprorë ushtarak e ushtar të UÇK’së vazhduan në një mision tjetër të tyre, kësaj radhe jo nën emblemën e UÇK’së.

Në vitin 2000 përfundoi edhe transformimi i UÇK’së në Trupa Mbrojtëse të Kosovës.

E gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB’së në Kosovë, UNMIK’ut.

Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK’së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

TMK’ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendi që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

Udhëheqësi i parë i TMK’së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku.

E menjëherë pas Çekut i cili më pas mori detyrë të re në qeveri, erdhi komandat Sylejman Selimi.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradit, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK’së, dhe krijimi i një force të re.

Por më 2009 kjo forcë prapë u shpërbë për tu shndërruar në një forcë tjetër, tash Forca e Sigurisë së Kosovës.

Më 20 janar 2009, TMK’ja zyrtarisht u shpërbë në FSK. Forca e Sigurisë së Kosovës, fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet e vërshimet ose zjarret në territorin e Kosovës

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës, vendim ky që nuk arriti të finalizohej tash e sa vjet.

Por ky rrugëtim nuk u ndal me kaq, ishte i pari presidenti Hashim Thaçi, dikur epror në UÇK që dërgoi te krye parlamentari nismën ligjore për shndërrimin e FSK’së në ushtri.

Por gjatë rrugës hoqi dorë.

Më pas një ushtarak tjetër, komandat i Zonës operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj në cilësinë e kryeministrit në 2018 e solli në qeveri projektligjin për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Kjo më pas kaloi në Kuvendin e Kosovës dhe me 107 vota pro pa papërkrahjen e deputetëve serb më 14 dhjetor u bë ushtri.

Ndërsa Kosova, u bë me ushtri pas gati 11 vjetësh pavarësi, nuk e ka marrë përkrahjen nga të gjithë aleatët e saj.

Shumë shtete, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, Jens Stoltenberg, i kanë kërkuar Kosovës që të mos nxitojë. dhe të presë që ushtrinë ta formojë me ndryshime kushtetuese.

Por pavarësisht kësaj Kosova u bë me ushtri kurse NATO-s dhe Amerikës iu shtua një aleat i ri në Ballkan.

Krijimin e ushtrisë, Serbia tentoi ta marrë si kërcënim dhe u ankua tek ndërkombëtarët, megjithatë pa sukses !

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme