Dhjetë kompani nga sektori privat dhe publik bashkojnë forcat me UNICEF-in në Kosovë për nismën  

13:22 | 23 Gusht 2020
L G

Zyra e UNICEF-it në Kosovë në partneritet me Rrejtin CSR Kosova ka thirrur  një takim me ndërmarrjet përgjegjëse që i përfshinë dhjetë kompani nga sektori privat dhe publik, për t’u bashkuar për avokim për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve, për të siguruar përmbushjen e nevojave të tyre themelore dhe për t’i zgjeruar mundësitë për ta arritur potencialin e tyre të plotë në jetë.

Fëmijët janë mjaft të kursyer nga efektet e drejtpërdrejta klinike të COVID-19, mirëpo pandemia ka pasur dhe ka një ndikim të thellë në jetën dhe mirëqenien e tyre./arbresh.info/

Njoftimi i plotë:

Dhjetë kompani nga sektori privat dhe publik, përmes Rrjetit CSR Kosova (CSR) bashkojnë forcat me UNICEF-in në Kosovë për nismën #united4children (#tëbashkuarpërfëmijët)

Zyra e UNICEF-it në Kosovë në partneritet me CSR thirri një takim me ndërmarrjet përgjegjëse që i përfshinë dhjetë kompani nga sektori privat dhe publik, për t’u bashkuar për avokim për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve, për të siguruar përmbushjen e nevojave të tyre themelore dhe për t’i zgjeruar mundësitë për ta arritur potencialin e tyre të plotë në jetë.

Edhe pse fëmijët nuk janë fytyra e kësaj pandemie, duke qenë mjaft të kursyer nga efektet e drejtpërdrejta klinike të COVID-19, kriza ka një ndikim të thellë në jetën dhe mirëqenien e tyre, e cila ndikohet nga: Ndarja apo vdekja në familjet e tyre mund të shkaktojë që fëmijët të përjetojnë ndarje dhe vuajtje traumatike për shkak të natyrës së papritur të vdekjes të shkaktuar nga COVID-19. Deri më tani, 102 persona kanë vdekur dhe 4,931 janë infektuar me COVID-19 në Kosovë. Është e pashmangshme që infektimi dhe vdekja e anëtarëve të familjes apo kujdestarëve për shkak të COVID-19 mund t’i prekë fëmijët të cilën mund të mbesin pa kujdes prindëror apo të përjetojnë shqetësime traumatike me ndikim në mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

Ndërprerja e shërbimeve shëndetësore mund të ndikojë konsiderueshëm në mbijetesën e fëmijëve, duke parashikuar një rritje të mundshme të vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve që mund të ndodhë për shkak të qasjes së zvogëluar në shërbime esenciale shëndetësore. Sistemi i ngarkuar shëndetësor ndikon në monitorimin e rregullt të zhvillimit të fëmijëve dhe në kërkesat për kujdes për ndërhyrje parandaluese për sëmundje dhe lëndime akute. Efektet e ndërprerjes së shërbimeve shtrihen deri tek gratë shtatzëna që nuk mund të marrin kujdesin para lindjes dhe mungesa e shërbimeve për t’i mbështetur nënat dhe fëmijët që vuajnë nga shkallët në rritje të dhunës në familje.

Mbyllja e shkollave ka prekur rreth 350,000 fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë. Boshllëku i të mësuarit është përkeqësuar në mesin e fëmijëve nga ekonomitë familjare më të pasura që kanë pasur mundësi ta vazhdojnë mësimin nga distanca përmes mjeteve digjitale dhe atyre nga ekonomi familjare më të varfëra që kanë mbetur pas. Përkundër veprimeve të shpejta me të mësuarit në distancë, dëshmitë tregojnë se humbjet në mësim për Kosovën do të jenë të pashmangshme dhe të konsiderueshme, ku një pjesë më e madhe e nxënësve do të bien në analfabetizëm funksional dhe shkalla e braktisjes së shkollës do të rritet.

Mungesa e lojës, socializimit dhe ndërveprimit me bashkëmoshatarët mund të ndikojë konsiderueshëm në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Shumë fëmijë vazhdojnë të mos kenë mundësi të luajnë apo të socializohen për shkak të izolimit dhe mbylljes së shkollave. Adoleshentët në veçanti mund të vuajnë nga ndalesa e ndërveprimit social përderisa ekspozimi i tyre i tepërt ndaj mediave masive dhe sociale mund ta rrisë edhe më shumë rrezikun e shfrytëzimit dhe ngacmimit të tyre.

Art House, Flexograf, KIVO, KOSTT, Meridian, Procredit Bank, Raiffesien Bank, Sharrcem, Ujë Rugove bashkojnë forcat me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe CSR për fushatën parandaluese #back2school (#kthiminëshkollë) për COVID-19 dhe për të avokuar që fëmijët, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, të vihen në qendër të planeve të reagimit dhe rimëkëmbjes nga COVID-19 në Kosovë. Mbështetja do të përqendrohet drejt mbështetjes së fëmijëve me mjete mbrojtëse dhe teknologji ndihmëse.

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme