Pas akuzave nga deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me kompaninë Devolli, ka reaguar Blerim Devolli, i cili në një letër të hapur ka thënë se Kurti po manipulon me emrin dhe familjen e tij, madje fjalimin e Kurtit e ka konsideruar si sulm frontal.
Në vazhdim po ua sjellim letërën e të Blerim Devollit ndaj Albin Kurtit.
Albin Kurti, më detyrove për pak kohë të kaloj në terrenin tënd, të mbaj fjalim. Jam i vetëdijshëm që ti me fjalime ma kalon, se ti je i fjalëve dhe unë nuk kam kohë për fjalime se më duhet të punoj çdo muaj që të ia siguroj pagat rreth dy mijë punëtorëve, si dhe mbi tre mijë qumështarëve.
Edhe beso që hiç nuk po më pëlqen, por po më duhet të të tregoj se po manipulon, duke ma përdorur emrin mua dhe familjes sime. Ajo çka dëgjova prej teje në Kuvendin e Kosovës është sulm frontal. E përdore gjithë artilerinë, me qëllim që të më qesësh përtoke, prej krejt anëve.
Edhe ti e di se ato që i ke thënë nuk qëndrojnë, edhe këtë e dijnë edhe të tjerët që e kanë dëgjuar fjalimin tënd. Përndryshe, nëse ato që ti i the do t’ia mbushnin dikujt mendjen, atëherë unë ose familja ime do të duhej të hetoheshim. Por, ti e din, ashtu siç e dijnë edhe tjerët, se ato që i the nuk kanë fare lidhje me realitet dhe për këtë në kushte normale me ty do të duhej të merret hetuesia, se shpifja është e dënueshme. Por, ti në këtë rast nuk je treguar burrë.
Ti Albin e din që ke imunitet si deputet, se nuk do të mund të paditesh për shpifjet që i bën prej Kuvendit edhe për këtë shkak ti shpif kundër meje se e din që nuk të hyn therrë në këmbë. Nëse nuk nuk do të ishte deputet me imunitet, dhe nëse ti do të ishte si të gjithë qytetarët e tjerë, ti sot do të kishe disa kallëzime për shpifjet, të cilat i ke bazuar në shkrime të mediumeve shpifese, për të cilat ne çdo herë i dërgojmë në institucionet e medias dhe në gjykata.
Por, ti Albin, të njëjtat mediume që i din mirë se cilat janë, vetë i sulmon ato për shpifje krejt kohën, e tash të njëjtat i ke përdorë për të më sulmuar mua. Kjo nuk është as politikë, as burrëri, as e ndershme, as shqiptare, por është dyfytyrësi. Të thashë që ti me qëllim më detyrove që për herë të parë të shkruaj letër të hapur për dikend. E dijmë se nuk është hera e parë që sulmohem unë ose familja ime. Se nëse unë do të filloja të merresha me fjalë, si ti e shpifësat e tjerë, atëherë nuk do të kisha kohë të punoj për ti mbajtur mija vende pune që i kam krijuar për qytetarët e Kosovës, për ti bërë prodhimet më kulitative vendore, për të pagu tatime për shtetin tonë, të cilin shumëkush e sulmon shpesh.
Po qe po ti them nja dy tri llafe: Po gabon, Albin. Nuk të kam pa ndonjëherë që e ke sulmuar ndonjë kompani serbe prej foltores së Kuvendit ashtu siç me kishe sulmu mua. A je ti ai që thua se prodhimi vendor është e ardhmja e këtij vendi? A je ti që thua se duhet me i zëvendësuar prodhimet e huaja? Tash, s’di a të pëlqen ty kjo ose jo, por unë mund të mburrem se sot jam ndër prodhuesit kryesorë kosovarë që po i zëvëndësoj prodhimet e huaja.
S’di pse kjo nuk po të gëzon ty, shumë çudi. Ti Albin, në vend se me na përkrahë për prodhimet vendore, ti po mundohesh edhe të shtiesh dyshime pa asnjë mbështetje në popullatë për cilësinë. Shumë e dyshimtë kjo kur vjen prej një politikani. Albin, është e ultë me i bërë të dyshojnë familjet tona për qumështin e Kosovës. Gabon shumë kur po thua se ka përmbajtje prej qumështit pluhur. Ti lirisht shko për të pyetur në doganat e Kosovës se a është importuar qumësht pluhur në Kosovë edhe do ta kishe marrë përgjigjjen se nuk është importuar asnjë. Kështu, ti Albin, pa asnjë fakt po shpif e po na akuzon neve dhe po e sulmon një prej prodhimeve më të mira vendore, po i shtin në dyshime familjet kosovare, gjithmonë duke u thirrë në shkrimet e dy mediumeve që vet ti i shanë e ne i dërgojmë në gjykata sa herë që i bëjnë këto shpifje. Albin, i kam dëgjuar edhe prej partisë tënde duke bërë hajgare me thënien e nj ë kolegu tënd politikan se “forca e bën fuqinë”, por që të dëgjon Kosova ty që “krundet po u bëjkan miell” nuk e kishte besuar dikush… Por, ti ke shku kaq larg në këtë inat, sa që beson që përnjëmend edhe krundet bëhen miell vetëm që ta sulmosh dikend që të konvenon për momentin. Edhe përsëri, duke u bazuar vetëm në shkrime të dy mediumeve që t’i vetë thua që nuk iu beson. Valla ke gabuar Albin sa herë që e ke hapë gojën në Kuvend. Ke gabuar edhe kur ke thënë se nuk jemi ndër tatimpaguesit më të mëdhenj, se nuk kemi hapur mija vende pune. Nuk jemi bërë pronarë brenda pak vitesh të qumështores “Vita”. E kemi krijuar prej zeros në vitin 2002. Shko fol pak me qumështarët të tregojnë se a janë ata më mirë me “Vita”, ose me kohën kur në Kosovë s’kanë pasë mundësi që ta shesin qumështin se nuk kanë mundur të shtyhen me firmat nga Serbia, Sllovenia, Hungaria etj. Mos i lexo gazetat shpifëse, fol me qumështarët, ata të tregojnë. Pyeti pak edhe njerëzit e tjerë të tregojnë se si ka punuar gjyshi, baba im edhe unë.
Njësoj është edhe për lëngjet “Tango”. Kemi filluar nga zero dhe sot janë ndër më cilësoret në rajon. Pse s’po të pëlqen kjo, Albin? A më mirë langjet nga Serbia, ose nga Sllovenia? Edhe për Z Mobile e ke gabim, Albin. Kurrë nuk kam asgjë kundër çfarëdo hetimi, por kontrata me Z Mobile, e din ti, është hetuar disa vjet nga EULEX-i dhe në fund ka dalë në rregull. Edhe tash le të hetohet dhe përsëri do të del në rregull. Ti, Albin, asnjëherë nuk e ke ngritë zërin për të kërkuar nga PTK-ja që ta përmbushë kontratën me ne, por e ke lënë që kjo të zgjidhet nga arbitrazhi ndërkombëtar.
Ti e din pse… A i paskam mashtuar unë edhe EULEX-in edhe ICC-në edhe Gjykatën e Lartë të Londrës? Falëminderit për “kompliment”. Edhe amortizatorët, ti e din, që për shkak të shpifjeve të juaja janë trajtuar nga EULEX-i e edhe aty gjithcka ka dalë në rregull. Pse s’po i përmendë, por po manipulon. Gabim, Albin. Edhe shumë gjëra të tjera kam mundësi me ti thënë, por po besoj që nuk ia vlen ta zgjas shumë. E thashë në fillim, ti po fshihesh pas imunitetit të deputetit, se për të gjitha shpifjet do të duhej të merrej gjykata ose me ty ose me mua. Unë asnjëherë nuk i kam ikur asnjë hetimi ose gjykate, diçka që nuk mund të thuhet edhe për ty. Por edhe një herë po të them, u tregove i pandershëm duke i sulmuar pa asnjë bazë prodhimet vendore. Po të lutem mos e përdorë më për fushatë punën e prodhimeve vendore. Nëse nuk do ti ndihmosh prodhimet vendore, së paku mos na pengo. Se pastaj po i ndihmon dikujt tjetër , e din ti kujt. Lenani të punojmë të qetë, e mos na përdorni për qëllimet tuaja të politikës ditore.
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe