Detektivi që kapi “Kasapin e Bosnjës” dëshmon në gjykimin ndaj Haradinajt e Gucatit

13:23 | 24 Janar 2022
F.T

Robert Reid, një detektiv australian i cili ka punuar si shef i operacioneve në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ka dëshmuar të hënën në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale.

Reid, ka dëshmuar lidhur me operacionet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Ai, ka thënë se nuk beson se kanë ndjekur praktikat më të mira të procedurave.

“Nuk mendoj që operacioni është kryer në përputhje me standardet”, deklaroi Reid.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në seancën e së hënës, në gjykimin ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit që ngarkohen për vepra penale të cilat lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Reid, ishte shef i operacioneve në Tribunalin e Hagës, një gjykatë e krijuar në vitin 1993 për trajtimin e mizorive të kryera në luftërat e Ballkanit gjatë viteve 1990.

Për 23 vjet, detektivi australian kishte ndihmuar në gjetjen dhe arrestimin e mbi 160 kriminelëve të luftës. Në mesin e të arrestuarve të detektivit Reid ishte edhe Ratko Mladiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme