Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, mund të hiqen ose shtohen, por kjo varet nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë një burim në Bruksel, që shtoi se për çështjen e masave, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë rundit të fundit të dialogut më 14 shtator.
Sipas burimit, Borrell i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim. Por, rundi i dialogut dështoi pa një ujdi, pasi siç tha blloku evropian, Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.
Zyrtari i BE-së, i tha se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.
Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Pas takimit në kuadër të dialogut më 14 shtator, nga deklarata e përfaqësuesit të lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ishte e dukshme se lehtësuesit e këtij procesi nuk mendojnë se janë përmbushur kushtet për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kjo pasi Borrell deklaroi se masat që i ka ndërmarrë Kosova për shtensionimin e situatës në veri, ndonëse mirëpriten nga blloku, nuk mjaftojnë dhe nuk janë në përputhje me kërkesat dhe pritjet e BE-së.
Kosova dhe BE-ja në korrik u pajtuan për disa hapa që synojnë shtensionimin e situatës në veri. Që atëherë, Prishtina ka thënë se ka reduktuar praninë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Po ashtu, është hartuar edhe një udhëzim administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.
Këto hapa të ndërmarra nga Kosova në BE janë vlerësuar si “veprime në drejtim të duhur”, por jo të mjaftueshme, sepse, sipas një diplomati ato “nuk janë as të menjëhershme, as të mjaftueshme dhe nuk janë tërësisht në përputhje me kërkesat” e bllokut evropian.
Serbia, “nën monitorim”
Pas takimit të 14 shtatorit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të enjten mbrëma ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së për bisedimeve. Ndonëse aty, sipas burime diplomatike është përsëritur thirrja për “një qasje të balancuar kur janë në pyetje masat”, Lajçak ka marrë mbështetjen për punën e tij, dhe sipas të njëjtave burime, “askush nuk ka vënë në dyshim masat ndaj Kosovës”. Ambasadorët kanë kërkuar që masa të tilla të shqyrtohen edhe për Serbinë sepse ka shumë shtete që besojnë se Kosova nuk është e vetmja fajtore për tensionet në veri.
Burimet në BE kanë thënë se shtetet e bllokut “po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë” dhe se “lehtësuesit do të preferonin sikur të mos kishte fare masa ndaj asnjërës palë”.
Në BE për një kohë përmendin sanksionimin e Serbisë si “një mundësi”, por deri më tani masa janë vendosur vetëm ndaj Kosovës. Kosova për veprimet apo mosveprimet e saj sa i përket situatës në veri është qortuar edhe publikisht, ndërkaq Serbia është qortuar në takime të mbyllura, por jo edhe publikisht.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën në maj, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill – në votimet e bojkotuara nga serbët lokalë – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës. BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhje të reja.
Ndërkaq, gjatë këtij viti, Kosova dhe Serbia kanë arritur gojarisht Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj, por blloku evropian ka thënë se zbatimi i saj nuk ka nisur. Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.
Pas përfundim të rundit të fundit të dialogut në nivel të lartë në Bruksel, Borrell ka deklaruar se “të dyja palët janë në shkelje serioze të obligimeve të tyre nga marrëveshja e dialogut”.
Në pyetjet se pse atëherë vetëm njëra palë, në këtë rast Kosova, është duke u përballur me masa ndëshkuese e Serbia jo, një zyrtar i BE-së tha se “masat janë specifike dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me hapat për shtensionimin e situatës në veri” të Kosovës.
“Vendet anëtare po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë. Serbia nuk ka bërë asgjë për të zbatuar obligimet e saj nga marrëveshja. Ka mundur të bëjë shumë gjëra në mënyrë të njëanshme, si për shembull sa i përket njohjes së dokumenteve. Nuk ka pasur nga ana e Serbisë as masa, e as dënim të njerëzve përgjegjës për dhunën në veri të Kosovës, edhe pse identiteti i tyre është i njohur”, tha një zyrtar i BE-së, i cili shtoi se mund të jetë e gjatë lista e gjërave që nuk ka bërë Serbia. Megjithatë, ky zyrtar tha se “duhet së pari Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi është një proces i gjatë dhe ne pastaj do të siguronim që Serbia t’i kryejë detyrat e veta”.
Se cili do të jetë fati i masave ndaj Kosovës, nëse ato do të hiqen apo do të shtohen masa të reja, apo nëse do të vendosen masa ndaj Serbisë, pritet të merret vendim në javët në vijim pasi të zhvillohen konsultimet mes shteteve anëtare të BE-së dhe pas konsultimeve mes BE-së dhe SHBA-së.
Murati: Pasdite pritet të bëhet ekzekutimi i shtesave nga 10...
SHSKUK-ja jep detaje për 30 vjeçarin e infektuar me Lijën e ...
Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me ga...
Studimi në SHBA: Shumica e qytetarëve të lodhur nga lajmet p...
Ngritet aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitblerj...
Qeveria miraton vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eur...