Google ADS

Detaje nga Spitali Rajonal i Prizrenit për gjendjen shëndetësore të familjarëve të Krushës së Vogël, pas eskalimit të protestës

18:12 | 22 Qershor 2020
L G

Shef i Personelit dhe zyrtari për komunikim në spitalin rajonal në Prizren, Shefajet Berisha ka dhënë detaje të gjendjes shëndetësore të familjarëve të Krushës së Vogël, të cilët përfunduan në spital pas protestës, e cila eskaloi pas vendimit të  Gjykatës Themelore në Prizren ndaj Darko Tasiq.

Berisha, thotë se ata janë pranuar në emergjencë rreth orës 14:00, dhe se shumica prej tyre kishin irritime në fytyrë si pasojë e sperit të përdorur nga ana e policisë gjatë protestës.

“Rreth orës 14:00 kanë ardhur disa persona të lënduar, të cilët kryesisht kanë pasur irritime në regjionin e fytyrës. Atyre u është bërë trajtimi mjekësor, janë pranuar nga mjeku i emergjencës. Është bërë kontrollimi, për disa raste që ka pasur nevojë janë bërë analizat dhe të gjithë pastaj janë lëshuar për në shtëpi për trajtim të mëtutjeshëm”, thotë Berisha për arbresh.info.

Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë person me lëndime të rënda trupore.

“Jo, sipas raportit dhe informacioneve që mora nga shërbimi i emergjencës ku është bërë pranimi i tyre, sipas raportit nuk ka pasur ndonjë rast që ka pasur gjendje të rënduar shëndetësore”, ka thënë ai.

Ndryshe, pas aktgjykimit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila dënoi me 22 vjet burgim Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte, familjarët e viktimave dhe banorë të fshatit Krushë e Vogël, të pakënaqur me vendimin kanë protestuar para gjykatës.

Protesta ka eskaluar kur i akuzuari Darko Tasiq u nxor nga gjykata për të hyrë në veturën e Shërbimit Korrektues të Kosovës për tu dërguar në burg.

Familjarë të viktimave të krimeve të luftës në Krushë të Vogël kanë tentuar të sulmojnë veturën e SHKK-së në të cilën ndodhej Tasiq.

Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të qetësuar gjendjen, ku ka përdorur edhe gazin lotsjellës ndaj protestuesve./Arditë Shkodra. Arbresh.info

 

LEXO EDHE:

http://www.arbresh.info/lajmet/vrau-e-dogji-kufoma-ne-krushe-te-vogel-denohet-me-22-vjet-burgim-darko-tasiq/?fbclid=IwAR2MOmkbdcPnl5d2vzX74TOGVejJRT0eShSHR3BdOkz7DwcRbUNmwdQlf4E

 

Të ngjashme