Detaje nga nënshkrimi i marrëveshjes së Kosovës me SHBA-në

17:36 | 24 Gusht 2023
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në emër të dy qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, Kurti e cilësoi atë si tejet të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit tonë të frytshëm në fushën e sigurisë, të mbrojtjes mbi informacionin e klasifikuar, përcjell Arbresh.info/

Ai e falënderoi ambasadorin amerikan, Hovenier dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së si implementuesin e Marrëveshjes, për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve tona shtetërore përmes dakordimeve të këtilla.

Arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës e vlerësoi marrëveshjen edhe ambasadori amerikan, Hovenier.

Në lidhje me të, ai tha se ajo përfaqëson zotimin e fuqishëm të tyre për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe se në të njëjtën kohë çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial përmes shkëmbimit të informatave me ShBA-në. Ai po ashtu shtoi se ShBA mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Me marrëveshjen e nënshkruar sot dy shtetet marrin detyrime për mbrojtën e informatave të klasifikuara të njëra tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informatave. Informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë çertifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon.

Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara.

Në këtë ceremoni sot i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues tjerë të Ministrisë së Mbrojtës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar:

Të dashur qytetarë,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot nënshkrova, së bashku me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, edhe një Marrëveshje tejet të rëndësishme, në kuadër të bashkëpunimit tonë të frytshëm në fushën e sigurisë, të mbrojtjen mbi informacionin e klasifikuar. Dua të falënderoj ambasadorin Hovenier, si dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së si implementuesin e Marrëveshjes, për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve tona shtetërore përmes dakordimeve të këtilla.

Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjegjshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë bëhet përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, ushtarake e diplomatike.

Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti, detyra shtetëror këto të cilat jo rrallë kërkojnë edhe ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojtja e atillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar e dikton një gjë të tillë.

Prandaj sot, së bashku me shkëlqesinë e tij, ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë çertifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes tij në raport me palët e autorizuara.

Çdo Qeveri e matur dhe e përgjegjshme, kupton që çdo veprim i kundërt rezulton me ndëshkueshmëri, sepse bëhet fjalë për shkelje të ligjit. Zbulimi i informacionit jetik për një shtet, qoftë ai i fushës së sigurisë, mbrojtjes, tregtisë, industrisë, teknologjisë apo punëve të jashtme, ruhet dhe mbrohet përderisa një gjë të tillë përcaktohet nga ligji, mjeti që mbron interesat shtetërorë e jo interesat individual apo preferancat personale.

Edhe një herë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj te shpreh mirënjohjen time ambasadorit Hovenier, Departamentit të Mbrojtjes dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për besimin dhe bashkëpunimin e tyre./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme