Detaje nga aktakuza ndaj Pal Lekajt – avokati kritikon Prokurorinë

17:08 | 12 Prill 2018
V. S.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai dyshohet për shpërdorim të pozitës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori special, Faik Halil.

Por, avokati i ministrit Lekaj, Arianit Koci ka thënë për Insajderi, se nuk janë njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria për ngritjen e kësaj aktakuze. Madje, për të veprimi i tillë i Prokurorisë që “që  kur të ngritet një aktakuze, së pari t’i njoftojë mediat, para se këtë ta bëjë ndaj klientit ose avokatit, është një gjë shumë e dëmshme”.

“Unë sikurse Lekaj, nuk jemi informuar nga ana e Prokurorisë për ngritjen e kësaj aktakuze. Gjithçka e kemi parë përmes mediave. Dhe kjo nuk është në rregull, që mediat të njftohen për ngritjen e aktakuzës, e kjo mos të bëhet ndaj klientit ose avokatit. Është koha e fundit që të ndalohet një praktikë e tillë në Kosovë“, ka thënë për Insajderi Arianit Koci.

Ai ka pranuar që Lekaj ka qenë i dyshuar për për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe e pranon që gjashtë muaj më parë  është intervistuar nga Prokurori, pikërisht për këtë ështje.

“Po, Lekaj është intervistuar nga Prokuroria për këtë ështje dikund para gjashtë muaj më parë. Dhe nuk ka pasur një element që do të mund të ngritet aktakuzë ndaj tij“, tha Koci.

Ai u shpreh i bindur që klienti i tij në fund do të shpallet i pafajshëm.

“Them me siguri të madhe dhe bindje të thellë, se Pal Lekaj në fund të gjykimit do të dalë i pafajshëm. Sepse ai ika vepruar sipas ligjit”, ka thënë në fund avokati Pal Lekaj, Arianit Koci.

Se për ngritjen e aktakuzës është njoftuar nga mediat, e ka thënë edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “po lexoj në media që organet e drejtësisë paskn ngritur një aktakuzë”.

“Po lexoj në media që organet e drejtësisë paskan ngritur një aktakuzë për një çështje të para 10 viteve”. raporton Insajderi.

Lekaj ka shtuar se nuk do të japë dorëheqje, por do e respektojë secilin vendim që do të merret nga Gjykata”.

Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës.

“Ashtu siç kam qenë do të vazhdojë të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë.

Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë jam i gatshëm ta respektoj. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencës së presionit”, ka shkruar Lekaj.

Tashmë e gjithë procedura ka kaluar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, e cila do të vendos për mbajtjen e seancës ndaj këtij rasti.

Tashmë qeveria Haradinaj i posedon tre ministria nën akuzë dhe një nën hetime. Përveç Pal Lekajt, që vjen nga radhët e AAK-së, i akuzuar është edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka.

Lluka dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, më 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën kishte qenë njëri prej themeluesve.

Përderisa tre ministra në Qeverinë Haradinaj janë duke u përballur me aktakuza, zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi po ashtu është duke u hetuar për gjuajte me armë. Ai në një ambient të mbyllur kishte festuar me armë shpalljen e pafajësisë së zv/kryeministrit, Fatmir Limaj./Insajderi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme