Google ADS

Dështon votimi i Projektligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private

17:56 | 19 Nëntor 2020
Arbresh.info

Po vazhdon edhe më tej seanca e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Express.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur kuorum për miratimin në parim të Projektligjit për të drejtën ndërkombëtare private.

Ani pse u përkrahë nga shumica e grupeve parlamentare, në momentin e votimit nuk ishin 61 deputetë prezentë.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, kërkoi rikthimin e parimit të reciprocitetit në këtë projektligj.

“Një ministër që nuk respekton parimin e reciprocitetin në projektligjet e veta, nuk do të gjejë asnjëherë mbështetjen tonë. Ndërsa nëse ministri vendos të tërheq dhe të kthejë parimin e reciprocitetit dhe rregullojë tek neni 52 ku flitet për adoptimin”, tha ai.

Këtë e konsideroi të paarsyeshëm deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj.

“Në këtë projektligj Ministria e Drejtësisë e ka hequr kërkesën për reciprocitet duke e zëvendësuar atë me disa rregulla më moderne. Pas sqarimeve që janë dhënë nga ekspertët kemi kuptuar se ndryshimet e bëra janë për ndryshim të jetës së qytetarëve tanë, duke iu mundësuar procedurën e qartë për njohjen e dhe ekzekutimit të këtyre vendimeve të huaja. Përafruar më shumë për njohje më të lehtë të vendimeve gjyqësore”, tha ai.

Për dallim nga LVV-ja, partia tjetër opozitare, PDK shprehu mbështetje projektligjit.

Ndërkaq, nga AAK-ja, Teuta Haxhiu tha se në mes të dy leximeve do të japin kontributin e tyre për këtë projektligj.

“Grupi jonë parlamentar e përkrahë në parim dhe normal në mes të dy leximeve do të japim kontributin tonë”, tha ajo.

Miratimin e këtij projektligji e kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të Nisma-AKR, Endrit Shala.

“Edhe ne si grup parlamentar duke ditur rëndësinë që e ka ky projektligj për qytetarin e republikës dhe shtetasit tanë që janë në diasporë. Por me këtë projektligj do t’i gëzojnë të drejtat e Kosovës mbi këtë e përkrahim këtë projektligj”, u shpreh ai.

Të ngjashme