Edhe pse ishte planifikuar që sot të fillojë transporti ndërurban, një gjë e tillë nuk ka funksionuar.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë e kishte paraparë që në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër përhapjes së pandemisë me COVID-19 të përfshihet edhe transporti ndërurban përveç atij urban, një gjë e tillë nuk po funksionon.
Kompanitë e autobusëve nga qytetet e ndryshme të Kosovës nuk kanë respektuar një vendim të tillë dhe qytetarët janë detyruar që me taksi ilegale të shkojnë në Prishtinë.
Mirëpo nga ana e Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve aplikimi i masave për operimin e autobusëve po shihet si i pamundur dhe se do të ketë humbje shumë të madhe në rast se vazhdojnë të mbajnë linjat e rregullta me këto kufizime sesa të mos punojnë fare.
Kjo shoqatë e sheh si të pakuptimtë që është lëshuar transporti ndërurban derisa qytetarët vazhdojnë të kenë të kufizuar lëvizjen.
Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net, Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit.
Kurtishaj ka bërë të ditur se nesër do të ndërmarrin hapat e mëtejmë.
“Prej sot ka pasur të fillojë transporti rrugorë i udhëtarëve e ka lëshuar një vendim Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, vendimi edhe pse është i lëshuar për rifillimin e punës në transportin rrugor të udhëtarëve ka probleme të mëdha sepse qeveria e ka një vendim në fuqi, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë për lëvizjen e kufizuar të qytetarëve. Është edhe më tutje e pakuptimtë fillimi i transportit rrugor të qytetarëve kur në të njëjtën kohë kemi edhe kufizim të lëvizjes së lirë për qytetarët. Andaj kjo e bën të pamundur funksionimin e operimeve të rregullta. Për më tepër, ne si shoqatë nesër do të mblidhemi, do të mblidhet këshilli i shoqatës edhe një herë edhe të marrë hapat e nevojshëm dhe do ta vlerësojë këtë vendim dhe do t’i përgjigjemi me një shkresë këtij vendimi”, theksoi Kurtishaj për lajmi.net.
I pyetur nëse ka pasur kërkesa nga kompanitë e autobusëve që të ketë ngritje të çmimit të biletave, Kurtishaj ka thënë se, nuk ka shtrenjtim të biletave por që sipas tij, kompanitë e autobusëve nuk kanë mundësi që të operojnë me kërkesat që janë bërë nga qeveria.
“Jo, jo. Nuk ka shtrenjtim të biletave. Ne kemi kërkuar që qeveria të subvencionojë transportin e rregullt rrugorë duke u bazuar në nenin 17 përkatësisht pikën 4 të nenit 17 të Ligjit 04L179 për transportin rrugorë për shkak të kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve dhe për shkak të kufizimit të kapacitetit të autobusëve. Pra 50 përqindëshin e kufizimit të kapacitetit ta mbulojë me subvencionim të transportit rrugorë. Sigurisht që i ka edhe shpenzimet e tjera të dezinfektimit që ka kërkuar tri here brenda ditës apo pas çdo ndërrimi të bëjë edhe dezinfektimin e autobusëve, andaj këto janë shpenzime shtesë, kosto e të cilave sigurisht që iu pamundëson edhe operimin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobus”, deklaroi Kurtishaj për lajmi.net.
Mirëpo pavarësisht se qytetarët janë detyruar që të udhëtojnë në mënyrë ilegale drejt Prishtinës, ai ka thënë se nuk ka informacione nëse kanë operuar të gjitha linjat.
“Nuk kam informacion të saktë se a kanë operuar të linjat e të gjitha qyteteve, por mbetet të shihet nesër dhe besoj që gjatë ditës do të kemi sqarime tjera edhe nga ana e ministrisë por edhe nga ana e shoqatës sa i përket kësaj çështje”, u shpreh Kurtishaj.
Në anën tjetër, kryeshefi i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti, tha për KosovaPress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar operimi i linjave të udhëtimit, por që shtoi se sot nuk ka pasur fluks të udhëtarëve dhe as të autobusëve të linjave të rregullta.
E shkak për këtë ai tha se mund të jetë që qytetarët vazhdojnë të ketë lëvizjen e kufizuar.
“Ju mund ta shihni që sot ka një fluks apo nuk ka fluks të udhëtarëve aspak, po edhe nuk ka edhe autobusë të cilët qarkullojnë në linjat e rregullta të cilat i kanë. Ndoshta ka të bëjë me vendimin që bie ndesh me kufizimin e lëvizjes së njerëzve, sepse nëse e merrni një rast nëse një udhëtar dëshiron të udhëtojë nga Peja në Prishtinë, nëse e ka kufizimin derisa të vjen në Prishtinë kufizimi i mbaron. Prandaj, ai ose duhet të mbesë në autobusë ose duhet të jetë në Stacion të Autobusëve. Ka një jo koordinim mes të rregullave në fuqi me vendimin që është lëshuar. Mirëpo nuk është në kompetencën time ta gjykojë këtë, mirëpo si pasojë e kësaj shihet që Stacioni i Autobusëve nuk ka as autobusë e as udhëtarë”, tha ai.
Mirëpo për shkak të mosfunksionimit të linjave të autobusëve ndërurban, qytetarët po rrezikohen tej mase.
A.D, (emër i njohur për redaksinë), qytetar nga Podujeva, ka bërë të ditur se që prej ditës së sotme ia kanë kërkuar që të dalë në punë.
Ai thotë për lajmi.net se, pavarësisht vendimit që edhe trafiku ndër-urban të funksionojë, thotë se është detyruar që nga Podujeve të vijë në Prishtinë me taksi ilegal vetëm e vetëm që të mos e humbas punën.
“Kam pritur gati dy orë në Podujevë edhe asnjë autobus nuk ka ardhur. Edhe erdh një taksi ilegal edhe me atë jam detyruar që të vijë në punë dhe të rrezikojë. Sot kam pas t’ia fillojë punës në Prishtinë, sepse deri sot shumica e kompanisë kemi punuar prej shtëpive. Unë nuk e di se si do të kthehem në shtëpi”, deklaroi ai, i cili shtoi se, duhet të rrezikojë përsëri që të kthehet me taksi ilegal në shtëpi.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...