Google ADS

Dështon ndërtimi i spitalit të Prishtinës edhe ketë vit

10:00 | 14 Dhjetor 2024
K.B

Megjithëse është paralajmëruar që prej shumë vjetësh se Prishtina do ta ketë spitalin e vetë, as sivjet kjo nuk pritet të ndodhë.

Lokacioni e buxheti janë caktuar, por nisjen e ndërtimit të spitalit të kryeqytetit po e mban peng projekti, të cilin Komuna ende nuk e ka marrë.

Ndonëse në janar të këtij viti, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku për Arbresh.info kishte thënë se brenda 2 ose 3 muajve do të dorëzohet plani, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Plani nuk i është dorëzuar Komunës ani pse është kërkuar dy herë nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në përgjigjen e komunës për Arbresh.info thuhet se ende nuk kanë marrë përgjigje nga niveli qendror.

Sipas komunës, Spitali i ri pritet të ndërtohet në Prishtinën e Re në një sipërfaqe prej mbi 4 hektarësh.

Ndërkaq, buxheti është 2 milionë e 800 mijë euro.

“Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës është një nga prioritetet e kryetarit Rama. Pas propozimit të gjashtë lokacioneve nga Komuna, një lokacion mbi 4 hektarë në Prishtinën e Re është përzgjedhur. Kryetari Rama ka kërkuar dy herë dorëzimin e projektit nga niveli qendror, por ende nuk kemi pranuar përgjigje.”, thuhet në përgjigjen e komunës.

“Komuna ka ndarë buxhetin prej 2.8 milionë eurosh për fillimin e projektit menjëherë pas marrjes së planit për ndërtim.”, thuhet në përgjigjen e Komunës se Prishtinës.

Premtimi për ndërtimin e këtij objekti ishte dhënë para 5 viteve nga ministri i asaj kohe Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe që atëherë është projekt i cili ka mbetur vetëm në nivel të premtimeve.

Më 14 mars 2023, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook pati shkruar se spitali i Prishtinës do të nis në 2023. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Spitali i Prishtinës po vjen .Sot u bë prezantimi i planit të detajuar për Spitalin Gjeneral të Prishtinës, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë këtë vit”, kishe shkruar Rama. /Arbresh.info/ Erolinda Gashi/

Të ngjashme