Dështon gjykimi ndaj dy të akuzuarve se organizuan gara ku vdiqën tre persona

15:25 | 13 Dhjetor 2024
R J

Në mungesë të avokates së palës së dëmtuar E.D, Edona Sina, është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Arlind Syla dhe Irfan Hoti akuzohen për garat automobilistike në dhjetor të 2023-ës në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku mbetën të vdekur tre persona.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka thënë se avokatja Sina ka njoftuar se ndodhet jashtë shtetit derisa seanca shtyhet për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nga aksi rrugor “Prizren-Veri” në drejtim të aksit rrugor “Prizren-Jug”, ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, të akuzuarit Arlind Syla dhe Irfan Hoti në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Aktakuza thotë se ata paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që i akuzuari Syla, duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, ndërsa i akuzuari Hoti duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës së kundërligjshme, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre në shpejtësi jashtëzakonisht të madhe (sipas vlerësimit të ekspertit 170 km/h), i akuzuari Syla humb kontrollin mbi drejtimin e veturës, duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast kishte goditur automjetin tjetër “VË Golf” që ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë e kësaj, godet këmbësorët për vdekje N.B., M.D., dhe L.S., të cilët ishin duke ndjekur zhvillimin e garës.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë u shkaktoi lëndime të rënda trupore të dëmtuarve M.Z., dhe B.P, si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët po ashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme. Aty thuhet se këto lëndime u konstatuan sipas akt-ekspertimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të 29 janarit 2024.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 5 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Të ngjashme