U dënua me tre vite burgim, por asnjëherë nuk i shkeli këmba në burg.
Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku qëndroi për gjashtë vite në arrati duke mos iu përgjigjur vendimit të organeve të drejtësisë në vend. Këto të fundit sipas njohësve juridikë janë vetë fajtore për lirinë dhe përfitimet e Zharkut nga institucionet e drejtësisë, shkruan portali Arbresh.info.
Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se fajtor për mos mbajtjen e dënimit të Zharkut janë institucionet e drejtësisë në vend. Sipas tij nuk kanë shfrytëzuar mekanizmat që kanë në dispozicion për të arrestuar Zharkun gjatë kohës sa ka qëndruar në Suedi.
“Ligjet në Kosovë që ndërlidhen me parashkrimin e ndjekjes penale dhe ekzekutimin e dënimeve janë në harmoni me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Është përgjegjësi e shtetit të këtë institucione të pavarura, profesionale dhe paanshme për t’u siguruar që brenda afateve ligjore të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre. Në këtë drejtim, fajtori duhet kërkuar mu tek këto institucione pse nuk kanë shfrytëzuar mekanizmat që kanë në dispozicion përfshirë edhe atashetë policore që kanë në Evropë për të arrestuar z. Zharku gjate kohës që ka lëvizur nga Suedia në shtetet skandinave dhe të Beneluksit”, deklaroi Miftari.
Mifari tregon se IKD vazhdimisht kanë theksuar se në Kosovë mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe për të zbatuar ligjin kur kemi të bëjmë me figura të fuqishme politike.
Deputeti i Kuvendi të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka thënë shkurt për portalin “Arbresh.info” se kjo është çështje e moralit politik dhe vlerave, duke shtuar se do të ketë ndryshime në Kodin e ri Penal.
“Është çështje e moralit politik dhe vlerave. Kodi i ri penal është në procedurë dhe do të ashpërsohen këto masa”, tha Gashi.
Shqetësuese është edhe qëndrimi i ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, duke e quajtur lirinë e Zharkut si turp për Kosovën.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës për rastin e Xhabir Zharkut dhe ka kërkuar marrjen e masave, siç ka thënë, që kriminelët në të ardhmen të mos arratisen nga vendi.
“Xhabir Zharku është dënuar me tri vjet burg për krimet e vetë. Kthimi i tij në Kosovë është i turpshëm. Por turpi i vërtet është që gjate gjashtë viteve mbas që u lejua të ikë nga drejtësia, asgjë nuk është bërë për të parandaluar politikanët e tjerë kriminelë për ta bërë të njëjtën gjë. Unë nuk shoh asnjë arsye për një mundësi ligjore që lejon kriminelet të ikën nga vendi dhe të jetojnë jashtë vendit, në vend të kohës në burg. Shpresoj që reformat e drejtësisë nga Qeveria do të trajtojnë këtë boshllëk, për t’i ndihmuar ata policë dhe prokurorë që janë serioz në luftën kundër krimit të organizuar. Britania ka nevojë që Kosova të jetë partner serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”(sic), ka shkruar O’Connell.
Kujtojmë se Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në vitin 2011 e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale të detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës, dhe i kishte shqiptuar atij dënim me tre vjet burgim si dhe gjobë prej 1,500 euro.
Ky vendim u vërtetua nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012.
Zharku ishte dënuar për një rast të vitit 2006, kur një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt ishte privatizuar nga AKM-ja.
Sipas aktakuzës së prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë, mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit Xhabir Zharku, Arsim Kolshi, Besnik Hasani dhe Nysret Cena, fituesit ishin detyruar të tërhiqen për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.
Ish-kreu i Kaçanikut, Xhabir Zharku ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar me tre vjet burgim për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje./M.Avdimetaj/Arbresh.info/
Dabiqaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...