Google ADS

Dështimi dyvjeçar i Thaçit

08:07 | 9 Prill 2018
Arbresh.info

Më 7 prill të vitit 2016 ish-kryetari i PDK-së Hashim Thaçi mori detyrën e presidentit të Kosovës. Tash e dy vjet Thaçi ka dështuar të bëhet figurë unifikuese, siç duhet të jetë presidenti sipas Kushtetutës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për dy vjet sa është në krye të shtetit presidenti Hashim Thaçi ka dështuar ta jetë “figurë unifikuese e popullit”, siç parashihet të jetë i pari i shtetit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Madje vlerësohet se gjatë këtyre dy vjetëve Thaçi nuk ka arritur ta lërë prapa rivalitetin politik të kohës sa ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka vazhduar të jetë figurë përçarëse në skenën politike kosovare duke akuzuar partitë opozitare, me theks të veçantë lëvizjen “Vetëvendosje”. Partitë opozitare thonë se Thaçi nuk mund ta përfaqësojë unitetin e popullit. Kurse analistët politikë thonë se Thaçi asnjëherë nuk ka arritur t’i bëjë bashkë partitë politike për të biseduar për çështje të rëndësishme. Po ashtu thonë se Thaçi asnjëherë nuk ka vizituar komunat e qeverisura nga partitë që në nivel qendror janë në opozitë.

“Vetëvendosja”: Thaçi përfaqëson përçarjen

Anëtarja e Kryesisë së lëvizjes “Vetëvendosje”, Tinka Kurti, ka thënë për “Zërin” se
vetë mënyra e zgjedhjes së Thaçit president ishte paralajmërim i qartë për rolin e dëmshëm dhe përçarës që do ta luante ai në vitet në vijim. “Nga një proces përplot parregullsi e nën shtetrrethim policor Hashim Thaçi ishte kontrabanduar si president vetëm kur arriti t’i përvetësojë fillimisht votat e LDK-së, t’i kontrabandojë dhe t’i blejë të atyre që mbaheshin si të pavarur dhe sidomos kur arriti t’i shkëmbejë votat e Listës Serbe me koncesione të radhës për Serbinë. Prandaj, i dalë nga një proces i paintegritet e përçarës nuk mund të ndodhte ndryshe nga çfarë kemi parë gjatë këtyre dy vjetëve të Thaçit president”, ka deklaruar Kurti. Anëtarja e “Vetëvendosjes” më tej ka thënë se dy vjetët e tij si president vetëm sa kanë konfirmuar argumentet pse ai nuk është dashur të votohet për këtë post. “Madje me kalimin e kohës Hashim Thaçi po dëshmon se është i specializuar në dy aspekte: në negociata me Serbinë dhe në shpifje për LV-në. Këto njëkohësisht janë edhe kufizimet e tij”, ka shtuar Kurti. Kështu, sipas saj, Thaçi në vend të unitetit të popullit përfaqëson përçarjen. “Ky i ashtuquajturi president i Republikës, i cili në vend të unitetit të popullit përfaqëson përçarjen e tij, në vend të mbrojtjes së Republikës simbolizon zvetënimin e saj, në vend të garantimit të institucioneve të pavarura ngërthen si asnjë tjetër kapjen dhe uzurpimin e çdo institucioni të pavarur e në vend të mundësimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës jep urdhra prej autoritari për veprime të kundërligjshme”, ka përfunduar Kurti.

Avdyli: Thaçi është duke tejkaluar detyrat e presidentit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë për gazetën “Zëri” se kreu i shtetit është duke i tejkaluar kompetencat e presidentit. Ai madje ka thënë se Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit. “Ky president, që ka ardhur në bazë të një marrëveshjeje për një koalicion, në vend që t’i kryejë detyrat e tij të përcaktuara me Kushtetutë është duke dalë jashtë detyrave të tij shpeshherë. Ky president është politik dhe nuk është i unitetit. Ai ka një protagonizëm të tepruar që po ia kushton shtetit. Këtu e kam fjalën për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe për deportimin e gylenistëve, pasi Thaçi është përgjegjës”, është shprehur Avdyli. Madje sipas Avdylit, me këto veprime Thaçi e ka dëmtuar imazhin e Kosovën në arenën ndërkombëtare. “Ky njeri nuk i pranon dështimet, por tenton t’i marrë vetëm meritat për ndonjë sukses edhe nëse nuk është meritë e tij. Çdo ditë e qëndrimit të këtij personi në postin e presidentit i kushton Kosovës. Ai nuk dorëhiqet, por sa më shpejt që shkarkohet ai, aq më mirë do të jetë për vendin. Pasi Kosovës nuk i duhet një president me të cilin nuk takohen burrështetasit e vendeve të fuqishme”, ka thënë Avdyli më tej.

Edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se Thaçi nuk e përfaqëson unitetin e popullit. “Pikërisht figura e Hashim Thaçit e luan të kundërtën e asaj që e thotë Kushtetuta. Ai nuk përfaqëson unitetit e popullit. Thaçi është personi më joadekuat për një pozitë kaq të rëndësishme të shtetit. Në vazhdimësi e kemi parë se Thaçi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të unifikuesit”, ka thënë Berisha. Madje sipas Berishës, presidenti Thaçi është duke e krijuar imazhin jo të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Ai me metoda makiaveliste ka ardhur në pushtet. Puna e presidentit aktual është fotografia më e keqe për Kosovën, pasi ai qëndron pas disa veprimeve dhe marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Nëse ka ndonjë person që i krijon imazh jo të mirë Kosovës, ai është Hashim Thaçi”, ka shtuar Berisha.

Tahiri: Thaçi nuk përfaqëson unitetin për disa arsye

Politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Zëri” se në rastin kur presidenti i vendit paraprakisht ka qenë kryetar i një partie nuk mund të pritet të jetë unifikues.
Ai më tej ka përmendur disa nga arsyet se përse Thaçi nuk e kryen detyrën e unifikuesit.

“Ky asnjëherë nuk i ka thirrur liderët e partive në një tryezë për të diskutuar për çështje të ndryshme. Nuk i ka vizituar komunat ku qeverisin LDK-ja ose ‘Vetëvendosja’ për të shikuar zbatimin e pushtetit lokal dhe për të parë nevojat e atyre komunave. Po ashtu në ekipin e tij ka këshilltarë vetëm nga një parti. Presidenti përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë, por për dialogun me Serbinë ai do të duhej të takohej edhe me opozitën për ta marrë vlerësimi e tyre”, ka vlerësuar Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme