Në gjykimin për krime lufte të Zoran Vukotiqit dëshmitarja Ajmane Ferati- Shatrolli tregoi se si tash i akuzuari e detyroi një fëmijë të këndojë serbisht.
Edhe në këtë seancë dëshmitarja Ajmane Ferati- Shatrolli rrëfeu çfarë kishte përjetuar para dhe gjatë ditës së 5 majit 1999 kur ishin vrarë 4 shqiptarë në qytetin e Vushtrrisë.
Ajo tregoi se deri më 2 maj 1999 kishte qëndruar në fshatin Samadrexhë, ndërsa kur paramilitarët serbë i kishin larguar nga atje, tha se ishte strehuar në një shtëpi afër Shkollës së Policisë në Vushtrri.
Ferati- Shatrolli tha se më 5 maj ajo dhe familja e saj ishin rrahur dhe maltretuar nga Zoran Vukotiq dhe një person tjetër.
Ajo tha se tash i akuzuari për krime lufte në një moment i vendosi thikën në qafë një fëmije.
“Kena hi mrena në një dhomë, ky e ka mbyll derën dhe dhe ju ka drejtu këtij fëmije, ja ka ngjitë për hunde dhe i ka shtrëngu dhëmbët, i ka thanë shpirti jem, unë mendova që pe don, ai e ka nxjerrë thikën e ka lëpi me gjuhë ia ka çu kokën lart dhe ia ka vendos thikën në qafë”, tha dëshmitarja.
Ajo deklaroi më tutje se Vukotiq e ka lëshuar fëmijën, pasi ajo i ka dhënë disa stoli ari.
“Unë pastaj ia kam marrë kunatës time arin që e ka pasë në një kuti dhe ia kam dhënë, pastaj ai e lëshoi djalin“, rrëfeu dëshmitarja.
Ajmane Ferati- Shatrolli më tutje rrëfeu se personi tjetër që erdhi me Vukotiqin kishte shtënë brenda në dhomë, duke mbushur dhomën me tym.
Sipas dëshmitares, më pas Vukotiq e kishte marrë një fëmijë 10 vjeç dhe e kishte dërguar në një dhomë tjetër, duke e detyruar të këndonte këngë në gjuhën serbe.
“Zoran Vukotiq e ka hapë derën e ka dërgu djalin në dhomën tjetër, pas tyre ka shkuar edhe babai i djalit, i ndjeri Ukshin. Ai më ka treguar se Zorani e kishte hyp fëmijën në tri tvolina që kanë qenë në atë dhomë, edhe i ka thanë këndoje Sllobën, por ai ka qenë i vogël dhe nuk ka ditë atëherë. Ai e kishte rrahur me shuplaka fëmijën“, tha dëshmitarja.
Pastaj dëshmitarja tha Vukotiq ishte larguar duke i porositur se nëse i gjente në atë shtëpi deri të nesermen në atë kohë, do t’i vriste.
Ferati- Shatrolli tha se në mbrëmjen e 5 majit të vitit 1999 disa persona kishin ardhur për t’i marrë kufomat e katër të vrarëve.
Ajo deklaroi se më 6 maj 1999 ishin larguar nmga shtëpia ku përjetuan dhunë nga Vukotiq.’
Në seancë dëshmitarja pas pyetjes së prokurorit Flynn i përshkroi edhe dy personat që kishin hyrë në shtëpinë ku ajo dhe familjarët e saj ishin vendos në kohën e luftës.
“Personi pa maskë ka qenë Zoran Vukotiq, e kam njofte sepse shkollën e mesme e kam kryer në Vushtrri, e kam bërë praktikën në gjykatë, po ashtu, këtë person e kam parë disa herë, a ka qenë punëtor a ka pasë shoqëri, nuk e di, por e kam parë. Ka qenë i gjatë rreth 1.90 me flokë të zeza, ka pasë armë në dorë po çfarë ka qenë nuk e di, a thikën e ka nxjerr nga xhepi, unë e kam njohur, por nuk kam guxu me i thënë që e njoh “, tha dëshmitarja.
Ndërsa personin tjetër e përshkruajti si më të dobët, më të shkurtër me trup, ndërsa e kishtë parë kur kishte shkuar në postë, porse emrin nuk ia dinte.
Faik Musa që gjithashtu duhej të dëshmonte, nuk ishte i pranishëm në gjykatë, kurse trupi gjykues caktoi një ditë tjetër për të marrë dëshminë e tij.
Musa është i moshuar dhe gjykata do të mundohet ta sigurojë praninë e tij në seancën e ardhshme.
Ndryshe, kjo është vetëm njëra nga tri aktakuzat e ngritura kundër Zoran Vukotiq, ku po akuzohet për vrasjen e katër shqiptaëve si dhe rrahjen dhe maltretimin e shumë të tjerevë në rrugën e atëhershme “ Emin Durku “.
Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.
Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.
Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.
Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.
Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.
Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.
Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.
Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.
Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.
Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit./KALLXO.com
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...