Dëshmitarja thotë se anëtarë të UÇK-së ia rrëmbyen burrin dhe djalin që nuk i ka parë më kurrë

12:50 | 17 Gusht 2023
A Z

Dëshmitarja e 17-të me radhë, Dragica Bozhaniq, gjatë dëshmisë së saj gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, tha se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) rrëmbyen burrin dhe djalin e saj dhe se prej atëherë nuk i ka parë asnjëherë.

Këtë deklaratë, e njëjta e bëri gjatë seancës së të enjtes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, ajo mbështeti deklaratat e saj të dhënë më 16 dhjetor 2016, 13 korrik 2013, 26 tetor 2010 dhe 10 dhjetor 2015, si dhe tha se shënimi përgatitor ka përfshirë në mënyrë të saktë korrigjimet e bëra në seancat përgatitore me ZPS-në më 10 dhe 11 korrik 2023.

Deklaratat e mëparshme, provat materiale shoqëruese dhe shënimi përgatitor më pas janë pranuar nga trupi gjykues.

ZPS-ja, fillimisht lexoi përmbledhjen e deklaratave të saj, e cila kishte treguar se në fshatin e saj Opterush në Rahovec, gjatë natës së 18 korrikut, ajo dhe anëtarë të familjes janë sulmuar nga UÇK-ja, e që të njëjtin ishin dorëzuar dhe i kishin dërguar me veturë në një fshat afër.

Sipas saj, i kishin ndarë burrat dhe gratë dhe ishin dëgjuar zërat kur burrat ishin rrahur nga anëtarë të UÇK-së.

Më tej thuhet se atë e kishin dërguar te bashkëshorti i saj dhe i kishin dhënë një letër që t’iu dërgohej fshatarëve të fshatit Zoqishtë, që t’i dorëzohen UÇK-së.

Po ashtu sipas saj, janë dërguar më pas në fshat tjetër ku janë mbajtur në manastir përderisa burrat i kanë mbajtur ende të ndaluar, kurse gratë dhe të moshuarit janë liruar natën tjetër nga kryqi i kuq, por se thuhet se dëshmitarja më asnjëherë nuk e ka parë burrin dhe djalin e saj.

Dëshmitarja gjatë dëshmisë së saj tha se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe nuk ka qenë asnjëherë në ushtrinë serbe pasi që ka pasur probleme shëndetësore, por tha se burrat tjerë kishin detyrim për ta kryer shërbimin ushtarak e që deri vonë ky ka qenë obligim edhe për shqiptarët.

Më tej e njëjta sqaroi se një person (emrin e të cilit e ka treguar në seancë private) kishte njohur mirë burrin e saj dhe kishin bërë marrëveshje që të mbronin njëri-tjetrin, por sipas saj nuk është mbajtur fjala nga ana e tij dhe që ata janë sulmuar më 18 korrik.

Ajo tha se kishte qenë e befasuar kur e kishte parë atë person dhe kur ishin sulmuar kishin plagosur me granatë dore djalin e saj 16-vjeçar.

Bozhaniq tha se burrat e ndaluar me sa e di nuk kanë qenë anëtarë aktiv të policisë apo ushtrisë serbe dhe se kryesisht kishin qenë bujq.

Ajo sqaroi se në fshatin e saj kishin qenë 260 familje shqiptare dhe 10 familje serbe, kishin jetuar së bashku dhe kishte pasur respekt të ndërsjellë, por që sipas saj fatkeqësisht marrëveshja nuk ishte respektuar siç ishte planifikuar.

Dëshmitarja tha se në kohën e sulmit nuk kishin qenë në fshat një djalë i saj, i cili ishte dërguar në ushtri nga burri i saj dhe Zllatko Bozhaniq, i cili kishte qenë në burg dhe kishte shkuar të punojë në ushtri me pagesë.

E njëjta tha se asnjëherë nga anëtarët e UÇK-së nuk ishin njoftuar për arsyen e ndaljes dhe se tha se të njëjtit iu kishin thënë se ‘‘nuk ju kemi marrë me qëllim që të ju vrasim se po të kishim dashtë me bë këtë, do ju vrisnim në oborrin tuaj’’.

Ajo tha se edhe lirimi i tyre përmes kryqit të kuq ka qenë i vështirë dhe se UÇK-ja nuk iu kishte dhënë atyre asnjë dokument lirimi.

Të ngjashme