Google ADS

Dëshmitari serb në rastin Thaçi, prokuroria pretendon se ishte arrestuar në zonën e Suharekës

14:54 | 11 Dhjetor 2023
A Z

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Dejan Jeftiq, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pretendohet se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur në zonën e Suharekës.

Dëshmitari Jeftiq ka filluar të përgjigjet në pyetjet e përfaqësuesit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorit Cezary Michahlczuk.

Prokurori, fillimisht lexoi një përmbledhje për këtë dëshmitar, për të cilin tha se është arrestuar nga shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza, të cilët më pas e kishin dërguar në Budakovë.

“Me apo rreth 4 korrikut 1998, W01673 një person me etnicitet serb nga fshati Bulan i Suharekës, u arrestua së bashku me dy të afërm të tij afër… nga dy shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza. Tre serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, ku janë lidhur sytë dhe i kanë pasur duart e lidhura, më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, lexoi prokurori.

Prokurori Michalczuk tha se në vendin ku u dërguan tre serbët, të burgosur ishin edhe dy shqiptarë.

“W01763 është marrë në pyetje nga policia në Muvlanë dhe i është thënë që ia kanë vrarë babain. Të dy serbët e tjerë po ashtu ishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë. Ata i kanë thënë W01673 se konsideroheshin tradhtarë dhe se bashkëpunonin me policinë serbe. W01763 dhe bashkë të ndaluarit e tjerë serbë, janë lëshuar më 5 korrik 1998”, tha ai.

Sipas prokurorit, dëshmitari më nuk ishte kthyer në fshatin e tij dhe kishte mësuar se shtëpia i ishte shkatërruar.

“Mësoi që shtëpia e tij ishte shkatërruar pasi ishin larguar të afërmit e tij në qershor të vitit 1998. Ë01763 ka pasur nevojë për trajtim mjekësor për lëndimet e marra”, tha Michahlczuk.

Pas kësaj, dëshmitarit iu kërkua që në një hartë të shenjëzojë disa vende në zonën e Suharekës, duke përfshirë edhe vendin se ku ka banuar në atë kohë ai dhe dy serbët e tjerë, Kërsta Jeftiq dhe Stanko Stankoviq.

Dëshmitari Jeftiq tha se fshati Muhlan i Suharekës nuk është më shumë se 5 kilometra larg nga Budakova. Ai tha se në kohën kur u arrestua ishte i papunë.

Ndërsa, theksoi se asnjëri prej tre serbëve duke përfshirë edhe atë, nuk kishte asnjë lidhje me policinë serbe atë kohë.

Deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në dhe ato nga seanca përgatitore së bashku me përkthimet, u pranuan si prova materiale në këtë çështje.

Ndryshe ky dëshmitar sipas asaj që u kuptua në seancë, kishte dhënë deklaratë për ZPS-në më 4 shtator 2020./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme