Dëshmitari përmend dy femra përderisa flet për objektin në Zllashë

15:13 | 5 Tetor 2021
Arditë Shkodra

Në vazhdën e gjykimit kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafa dëshmitari i mbrojtur W01679 i është përgjigjur edhe pytjeve të mbrojtjes së Salih Mustafës, avokatit Julios Von Bone.

Ai pretendon se në vendin ku është mbajtur në Zllashë ishin edhe dy femra, të cilat nuk i kanë bërë pyetje, por sipas tij, ai ende vazhdon të ketë një shenjë si pasojë e njërës nga femrat për të cilat tha se kishte qenë pjesë e grupit, raporton arbresh.info

Avokati: Një prej personave që e ke përmendur më herët ishte një femër, kjo femër edhe kjo qëndroi dhe fjeti në të njëjtën ndërtesë me ju?

Dëshmitari: Në të njëjtën ndërtesë ka ndejt, në tjera dhoma ku ta di unë por me ne një dhomë nuk ka ndejt.

Avokati: A të kujtohet përafërsisht sa femra kishte në atë shkollë, si rekrutë apo në cilësi të tjera?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet, për femra nuk më kujtohet, meshkuj kanë qenë shumë, për femra nuk më kujtohet dhe nuk kemi pasur kontakt me femra.

Avokati: A është e vërtetë që dy femra kanë marrë pjesë në marrjen në pyetje apo gjatë rrahjeve?

Dëshmitari: E di që kanë qenë dy femra aty, njëra bile sot për pasojë vuaj ende kam shenjë prej saj, por nuk na kanë marrë në pyetje ato, na kanë marrë në pyetje këta të tjerët, por ajo në atë rast ndodhi edhe e kam një shenjë prej një femrës aty.

Dëshmitari i ZPS-së, identiteti i të cilin nuk bëhet publik ka folur edhe për kohën gjatë qëndrimit në shkollën e Zllashit ku sipas tij për disa ditë kanë kryer stërvitje me qëllim që të bëhen pjesë e UÇK-së.

Ai ka thënë se stërvitjet ka thënë se i kanë udhëhequr Adem Shehu dhe Triumfi.

“Ke pas drunj, konopë për me u kap me hip në to, ke pas me shku zvarrë, ka pasur drunj me tela, ke shku zvarrë për me u zvarritë, ke pas drunj për me vrapu në ta, ke pas drunj për me bë ushtrime”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Pastaj avokati Von Bone e ka pyetur për personat të cilët dëshmitari pretendon se e kanë dërguar në objektin e mbajtjes në Zllashë.

Avokati: Personat me të cilët shkove në Zllash, ata që i përmende më herët, a e di se çka u ndodhi atyre, çka u bë me ta, çfarë detyrash u dhanë atyre?

Dëshmitari: Nuk e di çfarë detyrash u kanë dhënë, pasi jam liruar kur kam shkuar i kam takuar në shtëpi të vet ata më kanë thënë se pasi më kanë marrë mua edhe ata janë larguar prej aty kanë ikur, pas disa ditësh edhe ata ishin larguar, kishin ikë e kthyer në shtëpi të vet.

Sipas dëshmitarit, nga shkolla e deri të objekti ku pretendon se është mbajtur në Zllashë, kanë ecur rreth 20 minuta.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme