Dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes, Shaqir Rrahimi, ka rrëfyer gjatë sesionit të parë të gjykimit të së mërkurës, se si i kishin transportuar Nuredin Ibishin, i njohur si Komandant Leka dhe Kapllan Parduzin, pasi këta dy të fundit ishin plagosur gjatë luftimeve me forcat serbe.
Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes së Salih Mustafës, dëshmitari Rrahimi ka deklaruar se ka jetuar në Orllan nga janari i vitit 1999 deri në qershor të këtij vitit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe kohore, situata e sigurisë në Orllan dhe përreth Orllanit ka qenë shumë e vështirë.
“Na jem në brez kufitar me Serbinë, edhe popullata ka qenë shumë e vuajtne prej forcave serbe, kena pas shumë tortura prej policisë serbe, maltretime jashtëzakonisht të mëdha”, tha tutje ai.
Dëshmitari ka konfirmuar se në atë pjesë gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur luftime ushtarake dhe se vet ai ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës( UÇK), konkretisht në brigadën 151.
Ndërkaq, mohoi që ka pasur pozitë komanduese, sipas tij ka pasur pozitë të çlirimit të atdheut dhe të kombit.
Rrahimi tha se nuk ka marrë pjesë, por ka përjetuar ofensivë dhe gjatë këtyre ofensivave ka pasur ushtarë e civilë të lënduar apo të vrarë.
“Beteja ka ndodh më 9 prill, beteja në fshatin e quajtur Surdull”, tha ai, i cili fshat tha se në vijë ajrore duhet të jetë 2 km larg fshatit ku ai jeton. Ndërkaq, shtoi se këtë ofensivë e kanë ndërmarrë forcat serbe.
Gjatë kësaj ofensive, ai tha se qenë në fshatin Turiçicë.
“Me 9 prill forcat serbe kanë marrë aksion në fshatin e quajtur Surdull. Me 10 prill është plagos Komandant Leka, Nuredin Ibishi me gjithë Kapllan Parduzim me pseudonimin Korab. Në atë pjesën, në fshatin Turiçicë, e gjithë popullata e Llapit, tu ja nis prej Bradash, Llapashticë, Dobratinë ka qenë në fshatin përtej Orllanit”, tha tutje ai, duke përmendur fshatrat përreth Orllanit.
Tutje, ai tha se bënin furnizimin e popullatës, duke shpërndarë miell dhe gjëra elementare, çka kanë mundur të sigurojnë.
“Popullata normal që kish dëgju atë ngjarje dhe u folke nëpër popullatë. Atëherë kur kam dëgju që u plague komandant Leka, u kon një spital i imrpovizum, muj me qujt spital po s’u kon spital, u kanë shtallë me një tepih e sungjera dhe kam shku në atë spital të improvizum e kam pa gjendjen e Nuredin Ibishit dhe Parduzit. Aty ka pas edhe tjerë qytetarë, edhe fëmijë të plagum”, sqaroi tutje ai.
Dëshmitari tha se ka shkuar ta vizitojë Ibishin sepse e ka vendas dhe kushëri dhe janë të një gjaku, ku e ka ndjerë obligim moral dhe njerëzor që ta vizitojë e nëse ka mundësi edhe ta ndihmojë diçka.
Ndërkaq, tha se Kapllan Parduzin, nuk e ka njohur në atë kohë.
“Kapllan Parduzi stomakun e ka pas krejt të qitur jashtë, njashtu edhe Nura u kon i plagosur në stomak, këtu dhe në kurriz te qafa”, tha ai, ndërkaq kur tha “këtu” bëri me dorë nga veshi.
Tutje, tha se nuk kishin mundësi në ato momente t’iu ndihmonin, pasi nuk kishte barna dhe me disa fasha kush ka mundur të lidhë plagët i ka lidhur, ndërkaq tha se ai vet është angazhuar vullnetarisht për të bërë një transport, për t’i dërguar në ndonjë spital.
“Gjatë asaj kohe si krejt popullata që ish në lëvizje, edhe familja ime ishte e përgatitur për lëvizje. Ashtu edhe unë e përgatita traktorin tim me najlon, me ushqime, me veshmbathje me ato sa i kishim dhe kur e dëgjova lajmin dhe i pashë bashkëfshatarët e mi dhe luftëtarët e plagosur, shkova i tërhoqa gjitha sendet nga traktori dhe shkova i mora ata. Nga fshati Turiçicë kena bo deri te Sharbani 48 orë transport”, tha tutje ai.
Ndërkaq, tha se ka pasur edhe shumë të tjerë që i kanë ndihmuar nga spitali deri në traktor ku i kanë bartur të plagosurit.
“Me sa di unë dhe më kujtohet mu ka qenë Nura, Kapllani dhe një doktor deri në fshatin Rakinicë. Prej fshatit Rakinicë, nuk kena pas mundësi me shku rrugëve, kena kalu rrugëve të pyllit, atëherë kanë ardhë edhe dy persona tjerë me ka ni traktor dhe na kanë tërheq neve. Do të thotë tre traktora, unë me të plagosur dhe dy traktora tjerë para meje”, tha tutje ai.
Dy personat e tjerë që i kanë ndihmuar tha se kanë qenë Rrahman Zeka dhe Sabit Rrahimi, si dhe përmendi me radhë fshatrat nëpër të cilat kanë kaluar.
Sipas tij, ai ka vozitur dhe në një rast janë ndalur për të pushuar, ndërkaq shtoi se vetëm shi ka rënë.
“Një person ka thënë ndalë traktorin se po vdes Kapllan Parduzi. Një orë kena pauzu në shi deri e kanë trajtu me një infuzion muj me quajt diçka po se s’e kam pa, se asnjëherë nuk kena pauzu”, tha ai tutje.
Sipas tij, nga fshati Turiçicë deri në fshatin Krushevicë e kanë përcjellë dy traktorat me Rrahman Zekën dhe Sabit Rrahimit, ndërkaq nga fshati Krushevicë deri në Koliq tha se ka udhëtuar vetëm.
Ndërsa, ai deklaroi se nga Koliqi deri në Rimanishtë, kanë qenë dy persona që kanë ardhë dhe i kanë përcjellë me një traktor para tyre, në largësi prej 200 m, për shkaqe të sigurisë të rrugës.
Kurse, këta dy persona, bëri të ditur se nuk i ka njohur, të cilët tha se kanë qenë civilë, e me të cilët nuk kanë pasur kontakt.
“A kanë pas mundësi me u afru këta me bisedu me Kapllan Parduzin dhe Nuredin Ibishin”, ka pyetur avokati Betim Shala.
Ndërsa, dëshmitari tha se me një moment janë ndalë për nevoja personale.
“Me sa më duket u nal traktori dhe ai para nesh që ka qenë, nuk muj me ta vërtetu as po, që e kam pa. Krejt ngjarja këtë periudhë nuk di me tregu, s’jam i sigurt, por me sa më duket mua po. Aty ka qenë krejt dy minuta kohë”, bëri të ditur dëshmitari Rrahimi.
Sipas dëshmitarit Rrahimi, gjatë këtij udhëtimi nuk ka mundur të dëgjojë si janë thirrur mes vete pasi kanë qenë në traktor dhe ka rënë shi gjithë kohën.
“Në fshatin Rimanishtë, pas 48 orëve, na kena mbërri në 8 e 15 në mbrëmje, ka ndodh me 10 prill, na ton natën kena udhëtu, ton ditën.”, tha ai, duke thënë se aty e ka përfunduar misionin e tij ai.
Ndërkaq, tha se nga Rimanishta ishte kthyer në fshatin e tij, ku tha se atë natë ka bujtur në Rimanishtë, ndërkaq të tjerët janë nisë në një rrugë, të cilët nuk e di se ku kanë shkuar.
“Nuk e di çka ka ndodh, veç e di që një xhip me sa më duket mu, se është problem me përcaktu se nuk ka pas rrymë ka qenë errët. Ata dy personat, Nura e Korabi u kon një xhip, ju kanë mbetë këmbët jashtë gepeku, zhag, dhe nuk e di më çka ka ndodh”, tha tutje ai.
Dëshmitari konfirmoi se mbrojtjes së Mustafës, i ka dhënë deklaratë.
“Në pyetjen e avokatit mbrojtës, a i dini emrat e tyre. Ju jeni përgjigjur: nuk mbaj mend, por të paktën dy herë njerëzit thirrnin emrin Cali, Cali”, tha avokati Shala, ndërkaq dëshmitari tha se i kujtohet se ka deklaruar kështu.
“Thash deri te Koliqi nuk jam i sigurt si quhet vendi veç dy persona kanë ardhë në fillim me traktor, për mu të panjofshëm. Atëherë kam thënë dhe me sa më kujtohet ka thënë “Cal, a shkojmë në të djathtë apo shmajtë”. Unë me ata persona më nuk jam taku”, deklaroi ai.
Kurse, shtoi se fizikisht i ka parë në distancë, ndërsa i pyetur se nëse do t’i shihte më vonë a do të kishte mundësi t’i identifikonte, Rrahimi pohoi se ka mundësi që t’i identifikonte.
Dëshmitari Rrahimi tha se në muajin prill të vitit 1999 për fat të keq të tij nuk e ka njohur Salih Mustafën. Kurse, theksoi se nuk e ka parë kurrë deri kur e ka parë në televizor.
Ndërsa, i pyetur se a ka Mustafa nofkë, dëshmitari tha se ka dëgjuar përmes televizionit pasi u bë publike arrestimi i tij ka kuptuar se ka nofkën “Cali”.
“Sipas kujtesës tuaj, a mund të jetë Salih Mustafa ai person që e keni parë”, ka pyetur avokati Shala.
“Janë bë 23 vite se kanë ndryshu, 23 vite janë shumë, nuk muj me përcaktu saktë. Këtu nuk kam përgjigje”, tha tutje dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, pas kësaj ngjarje të vitit 1999, ai është takuar me Nuredin Ibishin.
“Mas nja dy muaj me sa duket se ai ka qenë në shërim, me Nurën jam taku mas dy muaje qishtu, për një Bajram sa më duket mu, ka qenë me bo Bajram për festë të Bajramit”, tha dëshmitari, ndërsa deklaroi se nuk e di se ku ka qenë në shërim i njëjti.
Kur janë takuar, ai bëri të ditur se nuk i kanë diskutuar rrjedhat e ngjarjes së vitit 1999.
“Nuk kem nevojë me i diskutu se boll kem trauma. Unë personalisht nuk di me hi në ato biseda se janë të rënda, nuk kam nevojë me ngarku kryt”, tha dëshmitari Rrahimi.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes është Shaqir Rrahimi
Ka filluar seanca e së mërkurës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku po dëgjohet dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes, Shaqir Rrahimi.
Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt me 12 prill, ku u dëgjua dëshmitari Nuredin Ibishi, i njohur si Komandant Leka.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...
Slot ka dhënë një mesazh të fortë për futbollistët e tij në ...
Mbappe: Askush në Real Madrid nuk do të pendohet kurrë për n...
“Dorëzoni armët, ose do groposeni me to”, Erdogan paralajmër...
Fitimi i pakënaqur me Sarën për mungesën e dhuratës për fest...