Google ADS

Deri në 14 orë reduktime të ujit në disa lagje të Pejës

20:32 | 27 Korrik 2024
R J

Reduktimet e ujit në qytetin e Pejës kanë bërë që në disa lagje përditshmëria të jetë e padurueshme për shumë banorë. Nga kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë kanë thënë se që nga 22 korriku i këtij viti, në komunën e Pejës është duke u zbatuar orari i reduktimeve të ujit.

Si pasojë e reduktimeve deri në 14 orë në ditë nga ujësjellësi “Hidrodrini” në Pejë, në shumë lagje të këtij qyteti, banorët thonë se përditshmëria është bërë e padurueshme. Mirëpo në disa lagje të tjera siç është ajo Fidanishte pas Stacionit të trenit disa prej konsumatorëve thanë se uji ndodhë të mungojë deri në dy ditë.

“Pesë minuta në këmbë e kemi qendrën e qytetit, krejt qyteti ka ujë na skemi. Na ndalin nga dy ditë. Mbrëmë prej 6-ve deri në ora shtatë në mëngjes. Nuk na lëshuan në 7 në mëngjes po në 5 të mbremjes na mbajtën tanë ditën sot, në mëngjes prap në ora 6, për çdo ditë, na kanë ba me na e gërditë këtë Pejë”, tha Dukagjin Gashi.

“Na mungon uji ka 12 orë deri në 14 orë gjatë ditës. Këtë problem me ujë e kemi qe tri javë ditë, mungesë e ujit është prej orës 18 pasdite deri në në 7 nesër në mëngjes nuk ka ujë”, tha Ilir Nallbani.

I shqetësuar tej mase për mungesën e ujit pas reduktimeve të gjata në Pejë është edhe Hazir Kastrati që ka ardhur për pushime në Kosovë.

“Kjo është e papranueshme. Ne e kuptojmë kur ka reduktime por jo tanë ditën ose tanë natën. Le të bëhen reduktimet me 4-5 orë. Nevojat e njerëzve janë për gjithë kohës. Kemi ardhë edhe para një viti, kemi ardhë prej rruge dy ditë e dy netë nuk kemi pasur ujë, kjo është tmerr. Një vit punojmë për me ardhë në pushim, fëmija kur të vijnë thonë na po kthehemi mbrapa se s’ka ujë, s’ka rrymë”, u shpreh Kastrati.

Ndërsa Zyra për Media pranë Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë përmes një komunkate thanë se që nga 22 korriku i këtij viti në komunën e Pejës është duke u zbatuar orari i reduktimeve të ujit është nga 6 orë përkatësisht nga ora 18.00 deri në ora 24.00. Përjashtuar këtu 22 korrikun ditën e aplikimit të orarit kjo për shkak të rotacionit që ka ndodhur.

Sipas zyrtarëve të Kompanisë Hidrodrini, thatësirat e mëdha kanë ndikuar në rënien e sasisë në burime e poashtu edhe keqpërdorimeve të cilat po ndiqen pandërprerë nga ana e inspektorëve./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme