Google ADS

Deri me 5 mars, Haradinaj duhet të miratojë strukturën e FSK-së

09:08 | 3 Shkurt 2019
Arbresh.info

Këshilli Euro-Atlantik në fundin e janarit ka diskutuar për vendimin e shtetit të Kosovës për fillimin e fazës së tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Ky këshill i ka dhënë 120 ditë afat kohorë Kosovën, për të filluar ndryshimet në mënyrë që pas këtyre muajve të jepen edhe komentet e shteteve anëtare të NATO-s për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, shkruan Ekonomia Online.

Ndërsa, deri me 5 mars, kryeministri i vendit pritet të miratojë strukturën e FSK-së.

Këto detaje i ka bërë të ditura, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online.

“120 ditshin e parë pritet që të ngritët Ministria e Mbrojtjes ose të kalojmë nga Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, me një strukturë të re, prapë Ministria do jetë një Ministri e integruar, por tani ndoshta me përqindje do jetë 75 për qind personal ose staf civil dhe 25 për qind staf ushtarak. Jam i sigurt që brenda 120 ditëve kjo do arrihet. Pritet që deri më 5 mars kryeministri ta miratojë strukturën e FSK-së dhe pastaj krahas strukturës janë edhe rregulloret që përcaktojnë funksionimin dhe organizimin e strukturës, koordinimin mes departamenteve, janë të parapara diku 10 rregullore brenda këtij viti që të miratohen e që do jenë në shërbim të ndërtimit të FSK-së”, tha Berisha.

Ministri i Mbrojtjes parasheh një vit sfidues, ku do të realizohet plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së, të ngritën njësitë dhe të fillojnë transformimet e nevojshme.

”Brenda 120 ditëve Ministrinë e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes po ashtu edhe të ngritët edhe shtabi i përgjithshëm, komandat, po ashtu edhe koncepti i trajnimit në komandën e doktrinës dhe trajnimit do ndryshon, do fillojnë trajnimet me karakter ushtarak, po ashtu ka edhe shumë projekte të tjera që ne i parashohim që në këtë vit të fillojmë ti ndërtojmë coftë në aspektin e infrastrukturës por edhe në aspekte të tjera”, pohon Berisha.

FSK me komisionar për Mbrojtje dhe Siguri

Brenda një afati 10 vjeçar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, do të duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës shumë projektligje.

Për këtë, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se pos projektligjeve, FSK-së i nevojiten edhe akte nënligjore, dokumente strategjike.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ditë më pare bëri të ditur se para deputetëve do të jetë projektligji për komisionar të Mbrojtës dhe Sigurisë.

Berisha thotë se janë duke i shikuar praktikat dhe modelet e shteteve të NATO-s që të rregullohet kjo çështje.

“Ne jemi duke diskutuar këtë çështje dhe po i marrim praktikat dhe modelet e shteteve të NATO-s që i e kanë të rregulluar këtë çështje, dhe mendoj që ne do ta kemi përfaqësuesin tonë ose komisionarin tonë, por tani nuk është e definuar a do jetë në nivel të institucioneve të sigurisë apo do jetë vetëm përfaqësues për Ushtrinë ose për FSK-në, megjithatë është një nismë e mirë dhe mendoj që është në interes që ne të kemi komisionarin tonë, jo vetëm për FSK-në por edhe për Policinë por edhe institucionet tjera të sigurisë”, tha Berisha.

Berisha bëri të ditur se pas transformimit të FSK-së nuk është vërejtur ndryshim i raporteve me partnerët strategjikë të Ushtrisë. Ai nuk pret që të ketë zbehje të tyre, por vetëm ngritje të bashkëpunimit.

Kosova nga 14 dhjetori i vitit 2018 e ka Ushtrinë e saj. Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa me 21 janar të këtij viti, zyrtarisht ka nisur procesi i tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme