Deri kur mund ta zvarrisë Kurti themelimin e ‘Zajednicës’?

08:10 | 30 Maj 2021
Përparim Bublaku

Marrëveshja e Asociacionit të Komunave Serbe 2013-2015 dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i shërbejnë institucioneve për hartimin e statutit.

“Nuk mund të ketë marrëveshje finale pa themelim të Asociacionit të Komunave Serbe”, është mesazhi i vazhdueshëm i ndërmjetësuesit të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Por, pavarësisht kësaj për qeverinë e Albin Kurtit nuk do të ketë asociacion një etnik. Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitës i referohej si ‘Zajdenicë” që në shqip nënkuptohet si ‘Bashkësi’.

Në bazë të qëndrimeve të Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti mund ta zvarrisë themelimin e asociacionit jo më larg se deri në kohën kur palëve të dialogut do t’i kërkohet dakordimi final.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky dakordim duhet të përfshijë njohje reciproke.

Për opozitën kosovare, kjo politikë e kryeministrit Kurti mund të sjellë modelin e “bosnjëzimit” të Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për arbresh.info, tha se kjo marrëveshje duhet të bëhet sipas verdiktit të cilin e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por kurrsesi asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Jo me e çrregullu organizimin e brendshëm të Kosovës. Këto janë qëndrimet të cilat ne si parti u qëndrojmë pas”, tha Kadrijaj.

Spektri politik, qoftë opozitë ose pozitë, refuzojnë asociacionin me kompetenca ekzekutive.

“Përndryshe është e turpshme që kryeministri Kurti të bëjë ‘bosnjëzimin’ e Kosovës, nëse bënë këtë zvarritje. Pra, të përdor modelin e ‘bosnjëzimit’,” deklaroi Kadrijaj.

Ndërkaq Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se çështja e asociacionit të komunave serbe duhet të jetë në përpikëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Nuk e di si do të rrjedhin bisedat edhe deri kur do të shkojë ajo për të marr vendim realisht. Por unë shpresoj që çështja e asociacionit të jetë ashtu siç është paraparë, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Janë shumë çështje tek bisedat që nuk n ‘varën të gjitha nga dëshirat tona. Ne mundemi t’i deklarojmë ato para opinionit varësisht nga interesat momentale mirëpo çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është çështje që me patjetër do të shtrohet në bisedime”, deklaroi Ferati për arbresh.info.

Qeveria Kurti ka paralajmëruar ndryshime në Ligjin për qeverisje lokale.

Sipas tyre, me ndryshimet e Projektligjit për Vetëqeverisje Lokale, do të bllokohet krijimi i një entiteti një etnik./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme