Dërguti: Për çështje nacionale do të bashkëpunojmë me Qeverinë

08:36 | 14 Shtator 2017
Arbresh.info

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Aida Dërguti, ka bërë me dije se kjo lëvizje nuk voton asgjë që dëmton interesin e vendit, kurse është e gatshme që për çështje nacionale të bashkëpunojë me Qeverinë, nëse kjo e fundit është e vendosur ta mbrojë interesin kombëtar.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Dërguti ka thënë se interesi i Kosovës rrezikohet që prej çastit kur Qeveria varet nga Lista Serbe.

Ajo ka uruar që Qeveria Haradinaj të mos ketë jetëgjatësi. Në këtë intervistë, nënkryetarja e Kuvendit e ka vlerësuar veprim të duhur vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Murat Mehës nga komisioni për shënimin e vijës kufitare me Malin Zi dhe për emërimin e Shpejtim Bulliqit.

Ne vazhdimisht jemi angazhuar për mbrojtjen e interesit të Kosovës dhe këtë do ta bëjmë çdo herë. Lëvizja Vetëvendosje! nuk voton asgjë që dëmton interesin e vendit, kurse është e gatshme që për çështje nacionale të bashkëpunojë me qeverinë, nëse kjo e fundit është e vendosur për mbrojtjen e interesit nacional”, ka thënë Dërguti.

Në këtë intervistë, Dërguti ka folur edhe për bashkëpunimin që kjo lëvizje mund të ketë me LDK-në në këtë mandat. Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! gjithmonë do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim me partitë opozitare.

Edhe këtë herë shpresoj të kemi opozitarizëm të mirëfilltë e përmbajtjesor dhe në mbrojtje të interesave të vendit e të qytetarëve. Edhe në dy mandatet e kaluara, edhe kur kemi qenë opozitë më e vogël, ne kemi treguar gatishmëri për bashkëpunim e koordinim. Falë një koordinimi dhe bashkëpunimi të mirëfilltë u mundësua që në mandatin e kaluar t’i ndalim marrëveshjet e dëmshme, ani pse kishim përgjysmë më pak deputetë. Tani jemi partia më e madhe në Kuvend me 32 deputetë dhe sigurisht se opozita do të jetë shumë më e fuqishme, ndaj presim që edhe LDK-ja të tregojë konstuktivitet në bashkëpunim”, ka thënë Dërguti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme