Institucionet e Kosovës, janë të vetëdijshme se pa përmbushjen e kritereve nuk mund të ketë liberalizim të vizave, por Kosova është duke avancuar në këtë drejtim, ka deklaruar të shtunën, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se çështja e kriterit të vënë nga Bashkimi Evropian, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, mund të përfundojë në Arbitrazh, pasi që, siç është shprehur ai, në Kuvendin e Kosovës nuk i ka votat për ratifikimin emarrëveshjes së versionit aktual.
“Për demarkacionin sikurse e dini, nuk është një temë që po fle, ka lëvizje në këtë temë. Sa më shpejt që t’i kemi rezultatet, do të lëvizim. Mund të përfundojë, e kam thënë disa herë, në Arbitrazh për shkak se versioni ekzistues nuk i ka votat dhe nuk ka përkrahje që besohet se është gabim”.
“Pra, në momentin që do të ketë dakordim për Arbitrazh, duhet ta ketë konsiderohet edhe nga BE-ja si çështje e zgjidhur. Dhe besoj se kështu do të ndodhë në një të ardhme jo fort të largët. Mbaj shpresë shumë se deri në fund të vitit të kemi edhe lajme sa i përket liberalizmit të vizave”, ka thënë Haradinaj derisa ka zhvilluar një vizitë në Ministrinë e Tregtisë.
Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të jetë një opsion nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin.
Labinot Greiçevci, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në rast se çështja e demarkacionit shkon në Arbitrazh, duhet të ketë pajtim të të dyja shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi.
“Nuk jam shumë i sigurt nëse Mali i Zi do të jetë dakord që çështja e demarkacionit të dërgohet në Arbitrazh, vetëm nëse ka kryeministri Haradinaj kontakte jopublike me autoritetet e Malit të Zi, atëherë kjo çështje është tjetër. Po, me aq sa dimë ne aktualisht, nga ajo sa kanë deklaruar autoritet e Malit të Zi, jam skeptik se ata do të pajtohen që çështja e demarkacionit të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit”, ka thënë Greiçevci.
Sipas tij, në rast se eventualisht diçka e tillë ndodh, gjërat mund të ndryshojnë dhe të krijohet situatë e re në raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së për liberalizim të vizave.
“Hipotetikisht ta themi nëse çështja e demarkacionit përfundon në Gjykatën e Arbitrazhit, me pajtimin e dy palëve, atëherë kjo do të ishte një situatë e re dhe do të ishte mundësi që ky kusht, pra ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të jetë i negociueshëm edhe në raport me autoritetet e Bashkimit Evropian që të lëvizet përpara me liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Pra, gjithmonë po flasim për një situatë hipotetike me mundësi shumë të vogla”, është shprehur Greiçevci.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mban një kurs mjaft të ashpër të retorikës politike karshi qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti ndaj kushtëzimit të liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese.
Këto ditë, Thaçi ka kritikuar Komisionin Evropian, duke e cilësuar si të padrejtë vendosjen e kushtit të ratifikimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas tij, një qasje e tillë e Brukselit, ndikon në luhatjen e besimit që qytetarët e Kosovës e kanë në Komisionin Evropian.
Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mbetet kusht që duhet plotësuar sa më parë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja pa viza në Zonën Shengen, ka deklaruar zyrtarë të Bashkimit Evropian që këto ditë kanë vizituar Kosovën.
Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës kanë thënë për Radio Evropa e Lirë, se Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është duke punuar intensivisht dhe duke shqyrtuar dokumente të ndryshme, por nuk kanë dorëzuar ende ndonjë raport në Qeveri.
Puna e këtij Komisioni është fokusuar në përpjekjet për të argumentuar, siç thuhet, gabimet e bëra në punën e Komisionit paraprak, mbi bazën e të cilit ishte nënshkruar Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në vitin 2015, por e cila nga Kuvendi i Kosovës ka mbetur e paratifikuar.
Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...
Fitimi, Sarës: Sa do kisha shanse me ty jashtë, nga 1 tek 10
Votuesit e regjistruar në Diasporë do të hiqen nga listat br...
Top 10 mesfushorët ofanzivë më të mirë në kampionatin zvicer...