Google ADS

Deputetja Kusari-Lila flet për përleshjen fizike mes Sveçlës e Krasniqit

18:57 | 1 Nëntor 2018
Arbresh.info

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës është folur ndër deputetë për rastin e përleshjes së deputetit të Vetëvendosje, Xhelal Sveçla dhe atij nga PSD, Frashër Krasniqi.

“Përleshja fizike ka qenë temë diskutimi në mëngjes se pse ndodhi dhe çfarë ndodhi, por pas asaj koncentrimi ka shkuar të rezoluta për dialogun – arritja e një pike konsensuale. Kuvendi është bërë si një shou në të cilin po mbulohen të gjitha, politika, komedia, tragjedia… Unë s’kam qenë prezentë në atë që ka ndodhë. Deputetët kanë treguar që ka filluar me konflikt verbal dhe ka përfunduar me konflikt fizik”, ka thënë Kusari-Lila, njofton Klan Kosova.

“Nuk është hera e parë që ndodh. Në sallë kemi parë kur kanë ndodhur ballafaqime fizike edhe jashtë kuvendit. Kam qenë dëshmitare e një konflikti të tillë. Edhe dje pati një eskalim të gjuhës dhe kur analizon rëndësinë e rrethanave dhe temën që po e diskutojmë i humb kuptimi kur del në rrafshin personal. Kuvendi duhet të ketë një rregullore më strikte. Këto konflikte qoftë në aspektin verbal dhe fizik bëhen mes burrave. D.m.th gratë duhet të jenë në numër më të madh në vendimmarrje. Nuk është bërë analizë por mendoj se legjislaturë pas legjislature ka ardh te rënia e rolit të kuvendit. Definitivisht sa më pak personifikime më interesant do të jetë puna dhe më me peshë”.

“Konsideroj se nëse shikohet se çka prodhojmë aty shkon në kundërshti, kur ke tensione të tilla kuvendi është më pak funksional”.

Kryetarja e Alternativës ka thënë se përkundër sallës së kuvendit, pozita dhe opozita mbajnë raporte më të mira nëpër komisione – prapa medieve.

“Në komisione pozitë-opozitë ekziston një bashkëpunim dhe performancë tjetër. Flitet për projektligje, tema të caktuara, kurse në kuvend ka kohë që s’kemi pas një agjendë për të diskutuar një temë të caktuar. Në këtë legjislaturë po e vërej që në secilën temë ka referenca në të kaluarën. Mos të flitet për patriotë dhe tradhtarë, kjo temë vjen shumë shpesh. Nëse mbesin me sy në retrovizor duke shikuar mbrapa atëherë do të ketë gabime përpara”.

Të ngjashme