Deputetja Haxhiu: Hashim jep dorëheqje

11:46 | 23 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu përmes një statusi në profilin e saj në facebook, ka shkruar askush nuk mund t’i gënjejë që me ligj mund të shfuqizohet Gjykata Speciale, shkruan arbresh.info.

Sipas saj, tendenca e mbrëmshme, është një përpjekje e Thaçit që të marr sërish garancë për veten.

Ajo ka kërkuar që presidenti i vendit Hashim Thaçi, të jep dorëheqje.

Ky është postimi i saj në facebook:

Më kujtohet kur në muajin korrik të vitit 2015, pati dështuar votimi për Gjykatën Speciale por menjëherë pas një muaji gjegjësisht me 3 gusht të po atij viti, Kuvendi ka miratuar amendamentin për Gjykaten Speciale, pavarësisht kundërshtimeve tona.

Sot po vërtetohet që mos votimi i amendamentit në korrik, ka pasur për qëllim rritjen e pazarit për Thaçin.

Siç po duket hapur, ai në atë kohë ka marrë garancë që nuk do të jetë njëri ndër të akuzuarit dhe duke e njohur që ai është në gjendje t’i jap shokët e luftës dhe ta kriminalizoj luftën për interesat e tij personale, edhe ka shtyer deputetët e partisë së tij të votojnë Gjykatën Speciale.

Me gjasë tash së voni ka mundur të kuptoj që edhe ai do të jetë në mesin e të akuzuarve dhe është në gjendje të bëj gjithçka natën e fshehtazi, vetëm për interesat e tij puro personale. Njëri më dinak, më tinzar e më të paskrupullt, zor se mund të gjesh.

Zyrtarë të lartë shtetërorë si Thaçi e Veseli dhe të tjerë, duhet të japin llogari jo për kohën e luftës, por për krimet në paqe ndaj Kosovës.

Le të mos tentojnë të na gënjejnë që me ligj mund të shfuqizohet Gjykata Speciale, sepse PDK, LDK dhe Lista serbe, e kanë futur në Kushtetutë!

Kjo tendenca e mbrëmshme, është një përpjekje e Thaçit që të marr sërish garancë për veten.

Ne na duhet të ndalojmë tendencat e kriminalizimit të luftës së drejtë të UÇK’së ajo s’bëhet me këto përpjekje para së cilave fshihet Thaçi!

Hashim jep dorëheqje!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme