Deklaratat ‘nxitëse’ të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “Ose marrëveshje për Asociacionin e vitit 2015, ose asgjë dhe nuk ka më dialog” janë retorikë e vazhdueshme edhe e vartësve të tij, por pa pasoja dhe nuk mund të ndikojë që Kosovën ta nxjerr si palë destruktive.
Kështu thotë kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni për Arbresh.info.
Sipas saj, tashmë dihet që Serbia është penguesja dhe bllokuese e procesit të dialogut me Kosovë.
Ajo e pranon se ende nuk e dinë se çfarë përmbajnë 10 pikat e kryeministrit Kurti për Asociacionin, të cilat i pari i Qeverisë i propozoi dhe kërkoi të merren parasysh nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në takimin që pati me 2 maj me presidentin serb në Bruksel.
Por, sipas saj, drafti i parë për vetëmenaxhimin nuk i ngjanë Asociacionit të atillë që përmban kompetenca ekzekutive, dhe është ai i propozuar nga Ekipi Menaxhues ka qenë draft, i cili assesi nuk përputhet as me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Prandaj sipas Kryeziu-Hyseni, për kryeministrin Kurti ai draft ishte i papranueshëm si i tillë.
“Pra ka qenë draft, i cili assesi nuk përputhet as me Kushtetutën, e as me ligjet tona në fuqi dhe është i papranueshëm si i tillë. Ne e kemi refuzu, sepse sigurisht i kemi pasur arsyet tona për ta bërë këtë. Por, unë besoj që drafti që është prezantuar prej kryeministrit do të ketë përparësi dhe do të ndërtohet diskutim mbi atë draft në vazhdim në mënyrë që të merret si bazë për themelimin e vetëmenaxhimit në Kosovë”, thotë ajo.
Sipas saj, ideja e draftit të Asociacionit është që të përfshihen kushte më shumë për qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim komunitetit
“Në fakt ne gjithmonë jemi mundu t’i trajtojmë komunitetet për t’i respektuat të gjitha konventat ndërkombëtare. Pra, duke i ofruar mundësinë e integrimit, e bashkëpunimin me institucionet tona, e në shoqërinë tonë dhe besoj këtë e kemi arrit për ta bërë mirë sepse mjaftueshëm mirë janë të integruara minoritetet në Kosovë, e në veçanti serbët. Por me gjithat sigurisht që do të jetë i ndërtuar mbi vlerat evropiane dhe sigurisht ideja që të shohim dhe të krijojmë edhe më shumë hapësirë për të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë, dhe jo vetëm njërën prej tyre. Kështu që ideja është që në këtë draft të përfshihen kushte më shumë për qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim prej cilit komunitet vijnë ata” ka thënë Kryeziu – Hyseni.
Për ta nxjerrë Kosovën si palë destruktive me deklaratat e tij, presidenti serb Vuçiqi, nuk mund të bëjë asgjë më shumë, sepse sipas Kryeziu- Hyseni tashmë dihet se kush është palë penguese dhe bllokuese e dialogut.
Sipas saj, pala kosovare nuk është aty për t’i trajtuar temat, të cilat i konvenojnë Presidentit të Serbisë, andaj ajo thotë se kanë kërkuar që të dyja palët të trajtohen të barabarta dhe të flasin për çështje që janë në interes të të dyja palëve.
Në këtë rast Asociacioni, sipas saj, s’ka qenë në interes të Kosovës asnjë here që të trajtohet e para edhe pse kjo temë siç thotë ajo, vazhdon të jetë ndoshta në interes të Serbisë.
“Cilado palë që tashmë del kundër, apo e shkel, apo nuk pranon të implementojë pikat që hyjnë në kuadër të këtij dakordimi, sigurisht është pala që e pengon dhe bllokon procesin dhe sigurisht që pritet që ndaj kësaj pale të ketë ndëshkime dhe dënime prej anës së Bashkimit Evropian, sepse ideja është që të ecim përpara me dialogun dhe jo të bllokohemi siç kemi qenë të bllokuar vite të tëra. Pasi Vuçiqit nuk po i pëlqen çështja e Asociacionit, kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalemi dhe të diskutojmë për një çështje që i pëlqen apo jo atij. Por, do të ndalemi dhe të diskutojmë për çështjet që përdoren ose vendosen në rend dite në kuadër të agjendës, dhe që vendoset prej të dyja palëve bashkërisht”, pohon deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni./Arbresh.info/Pleurat Salihu/
Intervista e plotë
Xheneta refuzon ndarjen e përgjegjësive nga Arioni
Agim Ademi: Nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojm...
FRF i quan akuzat e Kosovës të pabaza dhe veprimet e futboll...
Laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës në Fushë-K...
Arrestohet polici “Pablo Escobar”, kishte fshehur 20 milionë...
Hamza: Do t’i mbështesim bizneset, por duhet të fitojnë më s...