Google ADS

Deputetja e PDK-së insiston se Hoti duhet ta shkarkojë Selmanajn

00:20 | 13 Tetor 2020
Trina Galanxhi

Deputetja e PDK-së Besa Ismaili, që ishte edhe iniciuesja e sotme e interpelancës të kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e dialogut me Serbinë, tha se dolën “duarthatë” nga kjo seancë.

“I gjithë debati rrodhi në atë mënyrë që ne deshëm më shumë transparencë nga qeveria. Mbetemi ende të shqetësuar për mungesën e transparencës, që mungesa e transparencës është një deficit në legjitimitetin e atyre që përfaqësojnë. Jemi të shqetësuar për mungesën e konsensusit dhe për më tepër për mosinteresimin për të ndërtuar atë. I gjithë debati shkoi në kërkesat që kishin deputetët për transparencë”.

“Kemi pasur disa raportime paraprakisht, por ne besonim që së paku te grupet teknike që po dialogojnë dhe negociojnë në Bruksel do të kemi më shumë informacione se çfarë po ndodh. Por, fatkeqësisht sërish dolëm duarthatë nga kjo seancë – me shumë pak informacione. Por, shpresoj që qeveria do të reflektojë dhe të ketë marrë inputet e nevojshme nga deputetët mbi këtë çështje”.

“Nga ajo që dëgjuam sot doli që suksesi i tyre është draftimi i tre paragrafëve të cilat as nuk na u lexuan. Nuk dëgjuam për shumë aspekte, në fakt dolëm më shumë të hutuar pas seancës sesa që ishim para seancës”.

Ismaili në Edicionin Special në Klan Kosova tha se shpreson që debati i sotëm t’i shërbejë ekipit negociator që të përgatitet më shumë për raundet e ardhshme të bisedimeve me Serbinë.

“Unë po besoj fuqishëm që së paku pas këtij debati, kjo qeveri do të reflektojë dhe do të shkojë më e përgatitur herën e radhës. Nëse ata janë të papërgatitur për të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, atëherë kjo për ne nxit dyshime se si do ta negociojnë çështjen më të rëndësishme dhe të komplikuar të vendit. Kryeministri Avdullah Hoti vazhdimisht përmendte se kjo pikë është pika e parë e marrëveshjes finale, por meqë nuk kanë nënshkruar nuk do të bëhet një marrëveshje finale pa u zgjidhur kjo çështje. Kjo mbetet në suaza të retorikës, sepse ne donim të dinim saktësisht se me çfarë agjende po shkojnë”.

Një e-mail që zëvendëskryeministri Driton Selmanaj kishte dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, pasi ishte ftuar për raportim për çështjen e të pagjeturve, ka shkaktuar përplasje verbale ndërmjet tij dhe deputetes Besa Ismaili.

Ismaili, ashtu sikur në Kuvend, edhe në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti duhet që ta shkarkojë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj.

“Fatkeqësisht me zëvendëskryeministrin [Driton Selmanaj] kemi pasë një lloj beteje – e kam fjalën si Komision për të Drejtat e Njeriut. E kemi ftuar dhe na ka dhënë një përgjigje. E kam kursyer e-mailin që zëvendëskryeministri e ka dërguar nga publiku, ndonëse në mënyrë të tërthortë kam folur, sepse është për keqardhje për të gjithë ata që e dëgjojnë, posaçërisht për familjarët e të pagjeturve”.

“Ai përsëri doli dy herë në foltore dhe na tha në sy gjëra që ishin të paqena, prandaj u detyruam që ta demantojmë. Po prisja për dikë që zihet ngushtë me fjalët e veta dhe që më e pakta që e bën, nëse ka një pikë integriteti moral dhe profesional, është të kërkonte falje, por ai insistonte në të njëjtat”.

“Nëse kryeministri Avdullah Hoti do ta shkarkonte zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj do të ishte një akt i ndërtimit të besimit me opozitën dhe me të gjithë qytetarët të cilën ky kryeministër nuk e ka. Po ta shkarkonte, dhe shpresoj se do ta bëjë, fakti që proklamon përgjegjësi dhe transparencë ndoshta do të ishte një argument më shumë në anën e tij”.

Ismaili ka dhënë më shumë detaje se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja që sot e përplasi atë me njeriun e dytë të qeverisë.

“Ne kur e kemi ftuar e kemi ditur se çfarë agjende ka kryeministri, prandaj e kemi ftuar zëvendëskryeministrin. Në e-mailin që zëvendëskryeministri na e ka dërguar, pasi i kemi shkruar dy herë, thoshte se tema e të pagjeturve dhe dialogu është konsumuar në Kuvend, pasi ka raportuar kryeministri për disa orë.  Ai tha se nuk e sheh të momentit për ta diskutuar këtë çështje. Zëvendëskryeministri e mohoi dhe u mundua të arsyetohej. por pas leximit të e-mailit ai qëndrim nuk ishte i dinjitetshëm për një zyrtar të lartë publik”.

“Çështja e të pagjeturve është gjithmonë aktuale. Si të mos jetë për Kosovën kur ende ka plagë të hapura, ndërkoha që çështja e të pagjeturve në botë diskutohet edhe një shekull prapa?”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme