Google ADS

Deputetja e LDK’së: Pashmangshëm vendi shkon në zgjedhje

12:54 | 20 Korrik 2019
L G

Deputetja e LDK’së, Besa Gaxherri ka thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Ramush Haradinajt për t’u larguar nga Qeveria.

“Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa pritur për shkakun pra për një ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, ndërsa përgjigja e Kryeministrit me dorëheqje ishte konform ligjeve dhe etikës politike”, ka thënë Gaxherri.

Deputetja që vjen nga rajoni i Dukagjinit ka thënë se uron që Kryeministri edhe kësaj radhe do të fitojë betejën me drejtësinë.

Por deputetja Gaxherri për Gazetën Express është shprehur se është e sigurtë që Kosova në ditët në vijim do të shkojë në zgjedhje.

“Tani vendi duhet të shkojë në zgjedhje nacionale sepse vetëm sovrani mund të vendosë se kush duhet të merret me proceset shumë të rëndësishme për vendin. Andaj unë jam shumë e sigurte se në ditët në vijim Kosova do të shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar deputetja nga radhët e LDK-së.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme