Deputetja e AAK-së: Kurti s’pati guxim të ballafaqohet në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se mori ftesë

00:04 | 1 Tetor 2020
Trina Galanxhi

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka kritikuar opozitën se po i stagnon disa ligje që janë qenësore për qytetarët derisa tha se e mirëkupton kërkesën e tyre për të shkuar në zgjedhje, pasi të njëjtën e ka bërë secila parti që ka mbetur në opozitë.

Haxhiu tha se problematika e tillë në Kuvend ekziston qëmoti, njofton Klan Kosova.

“Fatkeqësisht, kjo është një praktikë jo e mirë e Kuvendit dhe këtu po flas si deputete e katër legjislaturave, është po e njëjta çështje dhe po i njëjti problem kur deputetët nuk e luajnë rolin e vet. Kemi parë praktika të ndryshme kur deputeti e ka obligim për ta dhënë mendimin e vet me votimin për pro, kundër apo abstenim. Por te ne është një problem që na ka përcjellë vazhdimisht”.

“Deputeti e ka të drejtën mos me marrë pjesë në votim. Sinqerisht, vetëm Ligji për Rimëkëmbje Ekonomik, për të vetmin shqetësim të qytetarëve që janë shumë të vetëdijshëm dhe po kërkojnë që ne ta kalojmë këtë ligj për shkak të gjendjes së tyre të rëndë komike, mos ta flasim të bizneseve, t’ju lejojmë që të tërheqim nga kursimet e tyre. Trusti  është një çështje më e ndjeshme dhe kemi thirrur për bashkëpunim”.

Haxhiu në Rubikon tha se është obligim i Qeverisë të sigurojë votat në Parlament duke premtuar se në seancën e radhës ato do të jenë të siguruara, por tha se gjithashtu është papërgjegjësi individuale e deputetëve.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së lavdëroi ndërhyrjen e shefit të saj, Ramush Haradinaj, në ‘përmirësimin’ e pikave të marrëveshjes së nënshkruar në Washington derisa kritikoi pasardhësin e tij, Albin Kurtin, për refuzim të ftesës në Shtëpinë e Bardhë.

“Në këtë mes kemi një ish-kryeministër që s’shkoi në SHBA dhe ne e kemi kuptuar se ka pasë një ftesë për Qeverinë Kurti që të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe këtë e marr që s’ka pasë guxim të shkojë dhe të ballafaqohet”.

Haxhiu ishte e prerë që AAK-ja nuk e do rikthimin e temës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në tryezën e dialogut të Brukselit duke thënë se i besojnë kryeministrit për zotimin e dhënë se kjo s’do të ndodhë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme