Politikania britanike e Partisë Konservatore dhe kryetarja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Alicia Kearns shprehu shqetësim lidhur me qasjen e padrejtë të Perëndimit ndaj krizës së fundit Kosovë-Serbi.
Në një intervistë ekskluzive në “Inside Albania”, Kearns u shpreh qartë se cila palë ka shkaktuar tensionet e vërejtura në këto javë të fundit.
“Shqetësimi im lidhet me ekuilibrin e mënyrës se si, veçanërisht SHBA dhe BE, po reagojnë ndaj tensioneve të shtuara në Kosovë. E vërteta është se, nëse kthehemi te ajo që ka çuar në këtë krizë, është pikërisht vendimi i Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e brendshme në Kosovë”, u shpreh ajo.
Tensionet në veri të Kosovës u përshkallëzuan në fund të muajit maj, pasi kryetarët e rinj shqiptarë u futën në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Që atëherë, serbët janë në protesta para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Këta kryetarë u zgjodhën në zgjedhjet lokale të 23 prillit në katër komunat veriore, një proces që u bojkotua nga serbët.
Më 14 qershor, tensionet u përshkallëzuan më tej pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Serbia pretendon se ata u arrestuan “thellë” në territorin e saj, por Kosova deklaroi se ata po patrullonin në territorin e Kosovës pranë kufirit me Serbinë në Leposaviq.
Ndërsa Perëndimi kërkon uljen e tensioneve, ndërkombëtarët nuk janë të gatshëm të kritikojnë Serbinë për kapjen e paligjshme të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, sipas deputetes Kearns.
“Ajo që kemi parë është denigrimi dhe ndëshkimi i partnerit tonë demokratik [Kosova], ndërsa një vend gjithnjë e më autokratik [Serbia] është pritur me hov dhe nuk ka pasur ndonjë pasojë, pavarësisht faktit se ata kanë arrestuar apo rrëmbyer tre zyrtarë të Policisë së Kosovës. Mungesa e vullnetit të vendeve dhe organizatave si BE për ta quajtur arrestim të paligjshëm, për të njohur se ka ndodhur një rrëmbim apo për të ndëshkuar [Serbinë], është e pafalshme”, tha ajo.
Pas tensioneve, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur tre kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
SHBA gjithashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në veri të kryejnë detyrat e tyre nga vende alternative.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti ka paraqitur një plan pesë-pikësh, i cili gjithashtu përfshin mbajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, Kurti ka deklaruar se për të pasur zgjedhje të lira në veri, është i nevojshëm sundimi i ligjit.
Kearns, një mbështetëse e zëshme e Kosovës në Dhomën e Përfaqësuesve në Britaninë e Madhe, kritikoi Perëndimin se përmes politikave jo të ekuilibruara, nuk ia ka dalë ta frenojë Serbinë nga acarimi i tensioneve, ndërkohë që Kosova gjithmonë rreshtohet kah politikave të jashtme të bashkësisë ndërkombëtare.
“Në thelb, ky është një dështim i diplomacisë parandaluese dhe ajo që kemi parë përgjatë këtyre dekadave të fundit është një dështim i vazhdueshëm për të dalë kundër atyre që mbështesin autokracinë dhe që nuk angazhohen në mënyrë domethënëse në proceset ndërkombëtare. Kosova është partnerja jonë demokratike, që pranon të përfshihet në sanksione dhe të mbështesë plotësisht atë që bashkësia ndërkombëtare dhe BE kërkojnë kur vjen puna tek Ukraina. Në anën tjetër, kemi [Presidentin serb Aleksandar] Vuçiç që thotë se ka thyer dorën dhe kështu do ta ketë për katër vite, ndaj nuk mund të nënshkruajë një marrëveshje për të ndihmuar në mënyrë të qartë qetësimin e situates. Kemi Vuçiçin që nënshkruan një marrëveshje për politikën e jashtme me Rusinë, shumë muaj pas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës”, tha Kearns.
Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së...
Numri i serbëve në Kosovë – vetëm sipas vlerësimit
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar