Google ADS

Deputeti ukrainas Goncharenko: Serbët më kërcënuan për rezolutën për njohjen e Kosovës

18:50 | 6 Gusht 2022
E.H

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka thënë se serbët e kanë kërcënuar në rrjetet sociale, pasi dorëzoi rezulotën në Parlamentin e Ukrainës, ku kërkohet që vendi të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Goncharenko u shpreh se ka marrë mbështetje nga shumë njerëz në Kosovë.

“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai.

Goncharenko deklaroi se në lidhje me rezolutën, ka pasur reagime edhe në Ukrainë, teksa shtoi se një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur.

“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, nënvizoi deputeti.

“Mendoj se ka ardhur koha që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë”, u shpreh deputeti ukrainas.

Goncharenko u shpreh falenderues ndaj Kosovës, në lidhje me ndihmën e dhënë mbas agresionit rus në Ukrainë.

“Mendoj se koha erdhi dhe kjo duhet të ndodhë. Ukraina duhet ta njohë Kosovën si vend të pavarur dhe duhet të bashkohet me vendet që e njohin Kosovën si të tillë. Kjo është diçka që mendoj se duhet të ndodhë në respekt të popullit të Kosovës dhe zgjedhjes së tyre.

Ne jemi gjithashtu falanderues që Kosova e ka ndihmuar Ukrainën deri më sot mbas agresionit të nisur nga Rusia, ndaj do isha i lumtur që të shihja që Ukraina ta njihte Kosovën dhe vendosa që të bëja këtë iniciativë”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës së sotme, Goncharenko ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlament, ku bëhet thirrje që vendi të njohë pavarësinë e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme