Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka ka mohuar akuzat për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash.
Fajësinë për akuzat e njëjta e kanë mohuar edhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu.
Pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tyre, të mërkurën, ka vazhduar gjykimi në këtë rast, ku palët në procedurë, kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Milaim Zeka, në fjalën e tij hyrëse ka thënë se është për të ardhur keq se si të gjitha provat që ka prokuroria, i ka siguruar vet ai.
“Në qoftë se ky trup gjykues do të ketë para vete një njeri dëshmitar që do të thotë se Milam Zeka i ka than lyp ti vizë, e le ma që i kam marrë dikujt qoftë veç një euro unë si qytetar, si deputet, kërkoj dënim maksimal nga ana e gjykatës. Kurrë në jetën time prej 1982 kam jetu jashtë, e deri më sot kur jam kthy në jetën time, s’kam qenë as në stacion policor, as për një biletë autobusi”, ka thënë Zeka.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Florent Latifaj ka thënë se me aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe me provat e propozuara, në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet në tërësi pafajësia e të mbrojturit të tij dhe gjithashtu do të vërtetohet edhe një herë jo profesionalizimi apo dështimi total i kësaj prokurorie.
Ai ka deklaruar se as dëshmitarët e propozuar nga prokuroria në asnjë deklaratë në polici, e as në prokurori nuk përmendin emrin e Milaim Zekës.
“Kur them këtë kam parasysh se sikur mos të ishte përmend fare emri i Milaim Zekës dhe të bëhej kjo çështje së pari mediatike, e tani penale, sot nuk do të kishim asnjë të akuzuar këtu. Se është një aktakuzë e dështuar që në fillim tregon edhe jo seriozitet kur shkon dhe ngrin asetet, banesat, tri banesa për veprën penale pastrim i parave dhe ato banesat e tjera edhe sot nuk e dinë të kujt janë, e jo të Milaim Zekës. Por, kjo aktakuzë është ngrit që të bëhet diçka bombastike në media e të thuhet se po luftohet krimi”, ka thënë ai.
Kurse, në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Krasniqi, avokati Ramiz Krasniqi, ka thënë se të gjitha provat e prezantuara nga prokurori, dëshmojnë të kundërtën e veprës penale, pasi që me analizimin e të gjitha provave, sipas tij, del që nuk kemi të bëjmë me kurrfarë mashtrimi nga ana e klientit të tij.
Sipas Krasniqit, klienti i tij dhe deputeti Milaim Zeka të cilët po akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi, kishin hapur një agjenci për punësim, të cilin e kishin regjistruar dhe e kishte pasur selinë në lagjen “Pejton”, në Prishtinë.
Krasniqi ka thënë se ajo zyrë ishte dedikuar për punësim të qytetarëve në Gjermani dhe të interesuarit kanë mund të shkojnë në këtë zyrë për të marrë informata.
“Në këtë zyrë janë marrë informatat e sakta për plotësim të dokumentacionit dhe me marrëveshje të palëve është nënshkruar që nëse ka ndonjë kontest, kompetente do të ishte gjykata”, ka thënë avokati Krasniqi.
Ai ka deklaruar se vlen të theksohet që nga të interesuarit në këtë agjenci, mbi 30 persona ishin punësuar në Gjermani, kurse personat që nuk kanë mundur të pranohen, u janë kthyer mjetet e paguara.
Ai ka shtuar se mbi këtë bazë nuk mund të ketë vepër penale, sepse këtu mund të flitet për një raport juridiko-civil dhe që çështja për kthim borxhi, sipas tij, nuk paraqet vepër penale.
Kurse, në fjalën hyrëse, i akuzuari i tretë, Edmond Kërliu, përmes avoaktit të tij, Kujtim Kërveshi ka thënë se kjo aktakuzë nuk plotëson as standardin minimal të të provuarit.
Sipas Kërveshit, është fatkeqësi që prokuroria nuk din as llogaritje matematikore për të bërë barazimin e transaksioneve dhe fitimin e dy të pandehurve që sipas kësaj prokurorie, siç ka thënë ai, paskan pas bërë fitim dhe e paskan ndarë mes vete.
“Sikur kjo prokurori ta kuptonte drejte raportin juridik civil kish me pas të kjart se cilat kontrata na i ofron si prova. Zoti Kërliu ka marr borxh hua nga Milaim Zeka në vitin 2011, në atë kohë kur s’ka pas sistem noterial në Kosovë. Ky borxh më pas është kthyer dhe për të dëshumar se po kthehet borxhi me veprime krejtësisht të lira dhe të ligjshme, paratë i janë kthyer Edmond Kerliu”, ka thënë ai.
Ndërsa, i akuzuari Kërliu, ka deklaruar se aktakuza në këtë rast është e palogjikshme.
“Unë nuk shoh asnjë logjikë me këtë aktakuzë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, prokurori special, Atdhe Dema, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se tre të akuzuarit kanë kryer një sërë veprash penale.
“Aktakuza në fjalë gjen mbështetje të fuqishme në provat e propozuara në tërësi pranë të cilit propozim ngeli edhe tani duke u nisur nga fakti se gjithnjë flitet për prova të pranueshme e të parashikuar me dispozita adekuate të KPRK-së. Në baze të kësaj aktakuze do ta kuptoni se tre të pandehurit kane kryer një sërë veprash penale në bashkëkryerje me qëllimin e vetëm për realizim të dobisë pasurore për vete, ashtu që janë dëmtuar 900 qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë prokurori Dema.
Ai ka deklaruar se nga të pandehurit janë bërë transaksione të pambulueshme, origjina e të cilave nuk është bërë e ditur dhe të njëjtit vazhdimisht i janë shmangur pagesës së tatimit.
Fjalën hyrëse të prokurorit, e kanë përkrahur të dëmtuarit e ftuar për të dëshmuar në këtë seancë, Agron Bytyqi dhe Leotrim Lekaj, të cilët kanë thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqesin kërkesë pasurore juridike.
Gjykimi ndaj Zekës dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.
Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të deputetit Milaim Zeka, Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.
Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.
Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu.
Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.
Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka Op”, si agjenci punësimi.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.
Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Ilir Krasniqi, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.
Krasniqi dhe Zeka, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.
Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.
Me këtë, Krasniqi dhe Zeka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.
I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.
Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.
Kurse, i pandehuri Zeka, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /Betimipërdrejësi
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...