Duke folur për mundësin e rikthimit të Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë, presidentja Osmani tha se në këtë moment, Kosova nuk mund të sillet sikurse nuk ka ndodhur sulmi i 24 shtatorit. Sipas saj, mossanksionimi i Serbisë nga BE-ja për këtë akt terrorizmi, do të ishte një dëm i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për vetë procesin e dialogut.
“Ndërmarrja e masave lidhet drejtpërdrejt edhe me atë që quhet ‘parimi i mësimeve të mësuara’. Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim, sepse qasja e marrë parasysh përgjatë këtyre 12 viteve për fat të keq e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të krijojë akt agresioni në raport me Kosovën. Prandaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut tani të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator duke e ditur që është shkelje e qartë e nenit 3 të marrëveshjes të dakorduar me 27 shkurt dhe aneksit të saj në Ohër me 18 mars. Është me rëndësi që Komisioni Evropian të dalë me propozim konkret rreth përket këtyre masave dhe me gjitha këto argumente që ata i kanë para tyre, do të ishte vërtetë dëm i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe dëm i madh edhe për vet procesin e dialogut, në qoftë se nuk ndërmerr asnjë masë në raport me Serbinë.”, tha Osmani
Për deputetin e partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, nuk mund të ketë rikthim në dialog pa u arritur një siguri kombëtare dhe pa sanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë.
“Asgjë s’mund të jetë njëjtë s’mund të sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë. Kosova ka prioritet sigurinë kombëtare dhe kërkesën për sanksionim të Serbisë dhe duhet një sjellje e vendosur e qartë e bashkësisë ndërkombëtare që e ardhmja do të jetë e drejtë …Duhen garanci që dialogu në kuptimin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizim ka sekuencim të qartë dhe detyrim për përmbushjen e secilit obligim dhe për të respektuar secilën pikë që e përfshinë edhe njohjen defakto”, tha Rrustemi për RTV21.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se është në dorën e qeverisë që të rikthehet në dialog ose jo, por, sipas saj fillimisht duhet të arrihet një siguri e plotë në vend.
“Duhet të ketë siguri dhe me sa lexova ne media shume shpejte do te zbulohet cfare ka ndodhur dhe shumë shpejtë do të ngritën aktakuza…….Qeveria duhet të jetë në linjë me aleatët të merr përkrahje për dialogun.
Mënyra e vetme është dialogu për të dalë nga kjo situatë.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, vlerëson se qeveria duhet ta shfrytëzojë më mirë pozicionin e saj në këtë proces, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
“Besoj që qeveria duhet të vazhdojë ofanzivën e saj që të krijohen parakushtet për vendosjen e masave shtrënguese nga SHBA dhe BE ndaj Serbisë me qëllim që të krijohet një situatë e përshtatshme kur Kosova do t’i përgjigjej pastaj obligimit për dialogun”.
Bashkimi Evropian ka thënë se palët nuk kanë rrugëdalje tjetër përpos dialogut teksa nuk ka dhënë detaje për sanksionimin ose jo të Serbisë.
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë