Deputeti i Vetëvendosjes: Për të parë dështimin aq të  dëshiruar të ministrit Vitia, ju nuk keni kursyer asnjë lloj iniciative

11:26 | 11 Qershor 2020
L G

Deputeti i  Vetëvendosjes, Fitim Uka ka kritikuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga Avdullah Hoti, se nuk po e menaxhon si duhet luftën kundër pandemisë.

Uka, tha se me 19 raste, u tentua të shpallej gjendje e jashtëzakonshme në kohën kur qeveria udhëhiqej nga Vetëvendosje, ndërsa tani që numri i rasteve pozitive më COVID-19 ka arritur në 29 raste në ditë, nuk ka asnjë reagim dhe asnjë deklaratë.

Sipas tij, pandemia ka shpërfaqur fytyrat e vërteta të  qeverisë aktuale, raporton arbresh.info.

“Nuk e kam menduar kurrë që një pandemi që imponon përdorimin e maskave, i largon kaq lehtë dhe kaq thjesht maskat e tyre dhe i shpërfaq fytyrat e vërteta. Por  ja që ndodhi dhe do t’i themi disa fakte. Më 17 mars të këtij viti me vetëm 19 raste pozitive  me COVID-19 në Kosovë, presidenti që e do mjegullën, kërkonte  me çdo kusht të shpallej gjendje e jashtëzakonshme. Ndërkaq vetëm mbrëmë janë shënuar 29 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, kemi qindra të tjera të cilat janë aktive, por asnjë deklaratë, asnjë kërkesë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ”, tha Uka.

Në këtë iniciativë  sipas tij, nuk mund të mungonte besnikëria e LDK-së, dhe në veçanti e një ministri të shkarkuar, që këtë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme e promovonte si shpëtim përballë pandemisë.

“Edhe në kohë pandemie, edhe në kohë të ankthit të përgjithshëm, këta nuk e kishin mendjen të shëndeti dhe mirëqenia e  qytetarëve, por i ëndërronin këto karrige të përkohshme. Për të parë dështimin aq të  dëshiruar të ministrit Vitia, ju nuk keni kursyer asnjë lloj iniciative, madje e kishin lënë qeverinë pa rezerva shtetërore, e kishin lënë ministrin Vitia me 60 mijë maska, të cilat i promovonin si sukses, e të cilat nuk mjaftojnë as për një ditë të vetme për të luftuar pandeminë”, u shpreh deputeti Uka.

Përkundër kësaj,  sipas tij ,Kosova u rendit në mesin e vendeve me menaxhimin më të mirë të pandemisë. /arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme