Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pagën më të lartë në rajon. Deri në 2 mijë euro arrin paga e tyre mujore. Paga bazë e deputetëve të Kosovës është mbi 1400 euro, por kur kësaj i shtohen edhe përfitimet tjera si mëditje për pjesëmarrje në seancë, në mbledhje të komisioneve, si dhe udhëtime jashtë vendit, ajo arrin në rreth 2 mijë euro.
Pas deputetëve të Kosovës të dytët më të paguarit, sipas raportimeve të mediave të rajonit, janë ata të Malit të Zi, paga bazë e të cilëve është 1200 euro, pastaj janë deputetët e Shqipërisë me 1080 dhe të Maqedonisë e Serbisë me 1000.
Derisa një deputet i Kuvendit të Kosovës merr pagën bazë mbi 1400 euro, asnjë nga të zgjedhurit e popullit nuk e iniciojë çështjen e rritjes së pagës në vend, por i vetmi shqetësim për ta del të jetë kërkesa që edhe nëse në mandatin e ardhshëm, ata që nuk arrijnë të bëhen deputet, me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve parashihet të marrin pagën edhe për një vit.
Iniciativat dhe synimet për rritje eventuale të pagave dhe mëditjeve për të zgjedhurit e popullit, për shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e bizneseve janë të pa pranueshme. Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv nga “Çohu”, konsideron të pa pranueshme idenë që të rriten pagat për deputetët.
Sipas tij, duke pasur gjendjen sociale dhe ekonomike me të cilën është Kosova, nuk është dashur as të iniciohet dhe as të ketë tendencë të inicimit të rritjes të pagave e as mëditjeve të deputetëve të Kosovës.
“Ashtu çfarë i marrin pagat edhe mëditjet sot, ata janë pothuajse më të paguarit në rajoni, kështu që nuk ka qenë koha me mendu tash deputet për të bërë një kornizë të tillë. Madje këtë po e shoh edhe rrezik sepse kjo ka ndikime edhe buxhetore, edhe nuk është dashtë me u marrë iniciativë e tillë. Aq ma pakë ku po shihet që kjo kornizë flet për një kohë pas një viti që është një barrë financiare për Qeverinë e ardhshme. ….Unë po mendoj që deputetët që kanë qenë në një legjislaturë nëse nuk mbërrin me marrë vota nga populli për me u rizgjedh në mandat të ardhshëm që atyre ne mos me pas obligim me iu pagua rrogë. Unë këtë nuk e konsideroj shumë të drejtë edhe në njëfarë mënyre është një padrejtësi e madhe që i bëhet pjesës tjetër të shoqërisë”, tha Demhasaj.
Ai po ashtu tha se niveli i papunësisë mund të jetë mbi 50 përqind dhe aparati i punësimit në Kosovë është administrata shtetërore që i ka diku 93 mijë te punësuar , ndërsa, pjesa tjetër nuk kanë ndonjë punë stabile që llogaritet se janë të punësuar.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se janë të pa pranueshme çdo vendim apo iniciativë për rritje të pagave për deputetët.
“Një vendim i tillë e dëshmon edhe njëherë faktin që Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale. Ajo çka është më shqetësuese, është fakti që një eksperiment i tillë vjen nga instanca më e lartë shtetërore që është Parlamenti i Kosovës. Në këtë kohë kur Kosova ballafaqohet me krizë sociale, ballafaqohet me krizë të papunësisë, ballafaqohet me një tentim për t’u larguar Kosova nga gjenerata e re të kemi një rritje të buxhetit për paga dhe mëditje nga Parlamenti i Kosovës. E tëra kjo e dëshmon faktin që në Kosovë në politik hyhet për të përfituar jo për të kontribuar. E tëra kjo mua nuk më befason kur e di çfarë aktiviteti ka pasur parlamenti viteve të fundit“, tha Gërxhaliu.
Ndryshe mendon Haki Shatri, ish ministër dhe deputet. Ai i ka arsyetuar pagën e një deputeti duke thënë se kanë përgjegjësi në vendime , po sipas tij ka edhe të atillë që nuk e meritojnë pagën që e marrin.
“Fillimisht është menduar që komplet ajo shumë e parave të ndahet si pagë dhe për me i stimuluar, me i kushtëzuar në një farë forme është bërë që pjesa deri në 1 mijë e 480 euro të jetë paga bazë mujore, pjesa tjetër të jepet e kushtëzuar, nëse merr pjesë e merr shtesën nëse nuk merr pjesë nuk e merr, kjo në bazë të evidencave. Është me rregullore që deputetët të cilët nuk zgjidhen ose nuk gjejnë një punë e cila paguhet nga buxheti i Kosovës për një vit vazhdon t’iu paguhet një pjesë e pagës, një vit kalendarik 12 muaj dhe pastaj të gjinden si të munden”, tha Shatri.
Ditë më parë, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka prezantuar në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa , Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), të Kuvendit për vitet 2018-2020, ku në kategorinë e pagave është paraparë të ketë rritje të buxhetit për paga për mandatin pasiv të deputetëve për kompensim.
“Te kategoria e pagave për vitin 2018-të, kemi paraparë 500 mijë euro më shumë. Ndërsa për vitin 2019–të, kemi paraparë 900 mijë euro më shumë po në total është 1 milionë e 400 mijë euro. Kjo rritje është parapara, pra ne e kemi reflektua si kërkesë buxhetore për shkak se në vitin 2018-të përmbyllet afati katër vjeçare i deputetëve edhe në zgjedhjet eventuale këto janë një buxhet i paraparë për paga për mandatin pasiv të deputetëve për kompensim . Është paraparë qysh nga viti 2018-të edhe gjysma e vitit 2019-të që vjen”, tha Krasniqi.
Ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri sipas ligjit për statusin e deputetit , deputeti përfiton të drejtën e pagës kalimtare dhe pensionit suplementar ligjit nr.7703, datë 11.5.1993. Po ashtu, tek një nen tjetër ata sikurse në Kosovë, paga e deputetit shqiptarë, përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare. Gjithashtu, ai gëzon të drejtën e shpërblimit./Arbresh.info.
163 efektivë të arrestuar në Shqipëri, 444 punonjës policie ...
Arrestohen katër persona në Gjakovë për vjedhje identiteti d...
Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” ...
Marrje ryshfeti/ Arrestohen dy zyrtarë komunalë në Graçanicë...
Abdixhiku: Finalizuam orarin elektoral, agjendën zgjedhore, ...
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim