Deputeti i “Junts” në Parlamentin spanjoll: Kosova është shtet i pavarur, Qeveria e Spanjës duhet ta njohë

23:46 | 25 Qershor 2024
E.G

Eduard Pujol Bonell, Grupi “Bashkë për Kataluninë” (Junts), i cili e prezantoi pikën për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Spanjës, para deputetëve ka deklaruar se duhet të tregohet pjekuri në këtë aspekt.

Ai para deputetëve theksoi se Kosova duhet të njihet, sepse është shtet demokratik dhe sovran.

“Junts propozon që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Por ne po pyesim edhe se kush prej ju është pro njohjes së Kosovës. Ne kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet demokratike tuajat”.

Siç transmeton Klan Kosova, deputeti Bonell ka thënë se “shteti i spanjoll duhet ta njohë Kosovën, sepse Kosova është shtet legal dhe demokratik që e shpalli pavarësinë e vet. Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?”.

Ndërsa, deputetja socialiste nga partia e kryeministrit Sanchez, Obdulia Tbaoadela Alvarez, ka thënë se pozicioni i Qeverisë së Spanjës sa i përket pavarësisë së Kosovës është i njohur dhe s’ka ndryshuar.

“Pozicioni është publik dhe i njohur. Spanja mbanë pozicionin e saj mosnjohjes për Kosovën”, ka thënë ajo në Parlamentin e Spanjës.

Ajo ka thënë se ndonëse vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, Spanja angazhohet për një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

 

Të ngjashme