Deputeti holandez kërkon nga BE të jetë më e ashpër kundër Serbisë: Ajo po destabilizon Kosovën dhe Bosnjën

11:48 | 30 Shtator 2023
E.H

Deputeti holandez, Ruben Brekelmans, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës teksa ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër Serbisë.

Me anë të një postimi në platformën ‘X’, Brekelmans duke iu referuar sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka shkruar se Serbia po destabilizon Kosovën dhe Bosnjën, po mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe po prish marrëveshjet diplomatike.

“A është kërcënim i Serbisë apo nismë e një sulmi ushtarak në Kosovë? Të dyja opsionet janë shumë të këqija dhe meritojnë një përgjigje të fortë. Jo vetëm nga ShBA dhe NATO, por edhe nga BE-ja (përfshirë Holandën)”, ka shkruar ai.

“BE-ja duhet të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër Serbisë: ajo destabilizon Kosovën dhe Bosnjën, mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe prish marrëveshjet diplomatike”, ka thënë ai tutje.

“Këto tensione në kufirin e jashtëm të BE-së përbëjnë një rrezik për stabilitetin dhe sigurinë evropiane”, ka shtuar në fund deputeti holandez./Arbresh.info

Të ngjashme